Dorëheqja e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe emërimi nga kryeministri Edi Rama i disa ministrave të rinj, ishte lajmi i ditës sot në vend.
Por për presidentin e Republikës Ilir Meta kemi të bëjmë vetëm me largimin nga detyra të një zv.ministri dhe për emërimin e ministres së re, në këtë rast, Olta Xhaçka, duhet zhdekretimi i ministrit të jashtëm që është kryeministri Edi Rama.
“Për rastin konkret, kemi të bëjmë me një zv.ministër, i cili ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka lidhje me ministren e jashtme në rastin konkret. Duhet të vijë kërkesa për zhdekretimin e ministrit të Jashtëm Edi Rama, i cili është ministër i jashtëm dhe emërimi i ministres së re është i lidhur me zhdekretimin e tij si ministër i Jashtëm. Nuk ka lidhje me detyrën e zv/ministrit. Ai është një akt vullnetar”, u shpreh Presidenti Meta në Tv Ora.
Kreu i Shtetit tha se nuk ka marrë ende propozimet nga ana e qeverisë për dy ministrat e rinj.