Prej pak ditësh tek Vllaznia po flitet vetëm për largime lojtarësh teksa do jenë së paku 5 që do t’i japin lamtumirën asaj gjatë merkatos së janarit dhe kjo krijon përshtypjne se ka diçka që nuk shkon tek kjo skuadër. Sidorenco, Mandiangu, Lekaj dhe ndoshta edhe Ramadani e Isufi jane emrat qe mund t’i japin lamtumiren Vllaznise.
Por në fakt duket se nuk ka asgjë shqetësuese dhe kjo është politika që po ndjekin vetë drejtuesit e klubit të cilët duket se nuk kanë ndër mend të mbajnë në skuadër lojtarë që nuk rrinë me dëshirë. Këtë e ka deklaruar për “Shkodra Sport” vetë sponsori Alban Xhaferi që është shprehur:
“Ne nuk do të mbajmë peng asnjë lojtar. Nëse ata kanë oferta më të mira dhe nëse ne nuk i krijojmë hapësirën e duhur të aktivizimit te Vllaznia, do të mundohemi t’i krijojmë lehtësirat e duhura për të luajtur me skuadrat e tjera.
Sa i takon ofertave në adresë të këtyre lojtarëve, në fakt nuk jam në dijeni të tyre dhe nuk kam asnjë informacion as nga vetë lojtarët. Thjesht kam lexuar në media në lidhje me këtë gjë”.
Xhaferin e kemi pyetur edhe për mënyrën si do të zëvendësohen këto lojtarë që do të largohen dhe përgjigja e tij ka qenë e qartë dhe e menjëherëshme kur është shprehur:
“Nëse ka lojtarë që do të largohen, kuptohet që ne jemi në fazën e marrjes së lojtarëve. Të mos harrojmë gjithashtu se ne kemi një grup lojtarësh të talentuar tek ekipi U21 dhe ai U19, por madje edhe tek U17, ashtu siç ishte rasti i ndeshjes me Skënderbeun në Shkodër kur ishte i grumbulluar me ekipin e parë futbollisti i ekipit U19, Nikaj”.