Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, e ftuar në emisionin “Pressing” në ABC, ka folur në lidhje me ecurinë e Vllaznisë këtë sezon dhe për procesin e privatizimit të klubit. “Është kënaqësi e pamasë në Shkodër kur ka ndeshje. Njerëzit mblidhen dhe t’i shohësh ata duke festuar është një mrekulli. Kënaqësia më e madhe është lumturia e atyre për shkak të lojës së mirë dhe rezultateve që ka marrë Vllaznia.
Objektivit i kemi thënë disa herë, duke pasur parasysh punën dhe skuadrën. Ata duan katër vendet e para. Nëse merret trofe është një bonus i madh. Punojnë me shumë seriozitet, ka bashkëpunim dhe sivjet ka gjëra që Vllaznisë i kanë munguar.
Ajo që më ka bërë përshtypje është se kur shënojnë shkojnë te trajneri. Nuk e kisha parë më parë. Normal ka meritë të madhe stafi teknik. Ndoshta kultura gjermane me traditën e Vllaznisë ka ndikimin e vet. Është viti i Vllaznisë, po prodhon skuadra shumë emocione. Jemi herët për të folur, kemi qenë edhe herë të tjera kështu dhe pastaj është ndërlikuar. Skuadra punon, por tani tërhiqet dyfish nga drejtuesit.
Nuk kemi probleme financiare. Kemi miratuar buxhetin dhe do bëhen pagesat për dy muajt e fundit. Bashkia ka siguruar buxhetin. Pastaj do vazhdojmë me ankandin për shitjen e klubit, që është një detyrim edhe ligjor.
Administrimi publik ka vështirësitë e veta. Edhe kur kemi financuar ne plotësisht, asnjëherë nuk kemi pasur problematika me borxhet. Te Vllaznia marrin të gjithë hakun. Kjo është e rëndësishme të thuhet. Ne do e mbështesim sportin edhe pasi të privatizohet Vllaznia.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kemi një sinergji me të cilën mbushim disa gjëra që nuk i kishim. Si për anën financiare, ashtu edhe për ndjekjen e skuadrës për ta mbështetur. Fondi mujor është më i madh se vjet, por jemi dy partnerë. Z.Xhaferi dhe të tjerë janë një mbështetje e madhe, i shkojnë më mbrapa ekipit dhe klubit.
Një problem që ka qenë janë ndërhyrjet nga jashtë, jo nga ana ime. Në disa raste kanë qenë edhe kriminale. Kur bëhet një grup më i madh bashkë, normalisht mbrohet puna që bëjmë. Ka pasur dyshime edhe për ndërhyrje politike, por nuk e konfirmoj dot. E kam thënë, që synimi është të shitet dhe të administrohet nga privati.
Do ishte diçka e madhe dhe një arritje. Administrimi publik ka dobësi, edhe të mira. Financat janë të sigurta, nuk ka abuzime. Kontratat tona janë online. Nuk punojmë me dy kontrata. Kemi detyrime ndaj tatimeve, por i paguajmë të gjitha. E ka thënë edhe ish-ministri. Kemi borxhe, i kemi deklaruar. Nuk është rasti të flasim. Nuk kemi pasur kontrata shërbimesh, por pune”, tha mes të tjerash Ademi.
“Kandidatët? Një është Xhaferi, që dihet. Më kanë telefonuar që të marrin informacion. Kriteret janë online. Po flasim me FSHF për të parë kriteret që ka UEFA, si për shembull që nuk duhet ta marrë dikush që ka një klub tjetër në Superiore. Do dalë për dy javë shpallja për privatizimin dhe do mbahet për 20 ditë”.
Borxhi? Kur shitet një kompani, shitet me emrin e mirë, me traditën, me të gjitha. Tifozët janë aseti më i madh, po flasim për tifozë jo vetëm shkodranë. Nëse heqin kamatat, i bie të përgjysmohet gjysma”, vijoi Ademi.
“Do shkruaj një libër, ia kam premtuar vetes këtë. Nuk është një kalvar, por një sfidë shumë e vështirë për t’u marrë me sport. Jam përballur me vështirësi të mëdha.
Ndoshta Zotin më ka ndihmuar në disa vendimmarrje që kemi marrë për Vllazninë, për ta mbajtur të paprekur, pa ndërhyrje politike dhe për të shkuar drejt privatizimit.
Në Shkodër buzëqeshjet e njerëzve janë ato që kanë rëndësi. Çdo trofe është bonus dhe e mirëpresim, është një gëzim i madh. Paratë që do marrim nga shitja e Vllaznisë do të hidhen në ndërtimin e fushave.
Jo vetëm aktualet, por edhe dy fusha të tjera. 600 milionë janë minimumi, çfarë të jenë më tepër do shkojnë gjithashtu për fushat stërvitore, që ndihmojnë akademinë dhe ekipin e parë”, ka thënë Ademi. /abcnews.al/