Ka qenë një nga basketbollistët e shquar të Vllaznisë, Partizanit dhe ekipit kombetar në vitet ’50-’60, ka luajtur edhe volejboll duke plotësuar figurën e një sportisti poliedrik e po ashtu ka qene per disa vite edhe trajner. E kemi fjalën për Vehbi Ademi, të cilin e kujtojmë sot, pikërisht në ditën kur ai duhej të festonte 90 vjetorin e lindjes së tij.
Ai i përket një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës, ku përveç traditës së fabrikës së atëhershme “Tarabosh” pronë e tyre, ato ishin të lidhur mjaft afër me sportin, kur kemi parasysh edhe vëllain e tij, Berhanin, edhe ky i aktivizuar në të dy sportet, volejboll dhe bashketboll, motra Lirija, një nga lojtarët e pesëshes së parë të Vllaznisë në basketboll, si dhe nipërit e tij, Muhameti dhe Teofiku, të cilët patën karrierë në sportin e futbollit.
Vehbi Ademi ka lindur ne Shkoder me 6 janar 1931 dhe ne rinine e tij zgjedh te merret me sport. Ka qënë viti 1947 kur djali i madh i familjes “Ademi”, Vehbia do të fillonte jetën sportive me ekipet e basketbollit dhe volejbollit të qytetit të Shkodrës. Falë të dhënave tepër cilësore që dispononte nga ana fizike, sidomos me një shkëputje që askush nuk e zotëronte si ai, Vehbia do të tërhiqte vemendjen e të gjithë specialistëve të asaj kohe.
Përkrah emrave të tjerë të njohur të sportit shkodran, si Esat Haxhi, Qemal Tafilica, Luan Shatku, me të cilët pati një karrierë të gjatë bashkëpunimi, si dhe më pas edhe me të tjerët si Muhamet Sokoli, Ali Quku, Skender Osmani, Lutfi Haliti, Flamur Agolli, Mark Grimci, Sander Laca, Enver Hebovija, Malo Zhabjaku, Beqir Seknaj, Ndrekë Gjergji, Shefqet Trashani, Tonin Bjanku, Gani Ymeri(Mani), Bep Radoja, Qamo Çuliçi, Nard Deda, etj, Vehbi Ademi do të ishte ndër figurat kryesore sportive të këtij brezi duke u shpallur kampion dhe fitues i Kupës së Republikës për tre vite me radhë, gjë që i jep mundësinë të fitojë edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Sportit”.
Ndërkohë, ashtu si edhe për sportistë të tjerë cilësorë, Klubi Sportiv Partizani do të kërkonte që shërbimin e detyrueshm ushtarak Vehbi Ademi ta kryente në kryeqytet duke veshur fanelën e kësaj skuadre, madje falë insistimit të drejtuesve të Partizanit, pas mbarimit të dy viteve të ushtrisë, ai do të vazhdonte edhe për tre vite të tjera në këtë klub duke qënë lojtari kryesor i pesëshes së parë të Partizanit.
Në të tërë këto pesë vite të Vehbi Ademit me Partizanin, ky ekip që në gjirin e tij kishte edhe Berbellollin, Kapllanin, Muzhanin dhe Pilkun do të shpallej për pesë vite me rradhë kampion absolut i Shqipërisë. Ndërkohë, gjatë kësaj periuudhe nuk do të mungonin edhe ndeshjet ndërkombëtare, sidomos ato kundra përfaqësueses së Rumanisë ku sërishmi shkodrani Vehbi Ademi ishte protogonisti kryesor i sukseseve.
Më pas, me rikthimin e tij në Shkodër vazhdon me po atë ritën rrugën e sukseseve, tashmë në shërbim të ekipit të qyteti të tij Vllaznia, deri sa e mbyll karrierën si basketbollist në vitin 1963. Por, edhe pse largohet nga fusha si sportist, për të më pas do të vijonte një tjetër etapë po aq e suksesshme në karrierën e tij sportive duke qënë në rolin e trajnerit të të rinjve të Vllaznisë, nga duart e të cilit dalin basketbollistë të tillë cilësorë si Valter Kalaja, Eduard Zhala, Ismet Zaja. Gjon Tarri, Shaqir Vukaj, Zyhdi Çoba, Alfred Sarreqi etj. Por, emri i Vebi Ademit nuk është i nohur vetëm në fushën e sportit.
Vehbi Ademi në vitin 2000 është nderuar me titullin e lartë sportiv “Palok Nika” me motivacionin “Për kontribut shumë të madh në sportet me dorë, volejboll e sidomos basketboll ku është “Mjeshtër Sporti”. Është ndër sportistët më popullorë të qytetit tonë, mbajtës i disa titujve kampionë kombëtar, kurdohere anëtar i ekipit kombëtar në basketboll, i palodhur dhe shëmbull i një figure të përkryer sportive”.
Pjesë e titujve të tij janë edhe ai “Mjeshtër Sporti”, dhe “Mjeshtër i Punës”, si dhe titulli “Mirënjohja e Qytetit”, akorduar këtë vit nga Këshilli i Bashkisë së Shkodrës me motivacionin “Basketbollist dhe volejbollist i suksesshëm i qytetit tonë, trajnerit të ekipit të volejbollit duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për klubin Vllaznia. Vehbi Ademi ka ndërruar jetë më 3 maj të vitit 2009 në moshën 78 vjeçare. /Nga Gjergj KOLA/