Një gjë nuk e kuptoj! Si ka mundësi që të mbetet jashtë juridiksionit të Bashkisë Shkodër Landfilli, pas rigrupimit të Bashkive? Si ka mundësi? Mbi çfarë parimi urban? Duket qartë se politika nuk e ka mendjen fare të profesionalizmi i menaxhimit të mbetjeve. U habita sot, kur e mora vesh se qenka pjesë e Bashkisë Vau i Dejës. O Zot, deri këtu mbërrin puna! E ku i ka inxhinierët kjo bashki, si mund t’i besohet një ndërmarrje e natyrës rajonale ku shkarkojnë pothuajse gjitha bashkitë e zonës veriore. M. Madhe, Shkodër, Lezhë, Vau i Dejës. Leri të tjerat por kur TV paraqiti këtë Landfill pak shkarazi, u duk në një farë mënyre edhe cilësia e dobët.
Sa inxhinierë kimistë mund të ketë Shkodra? Sa inxhinierë mjedisi? Pa fund. Dikush e kalon lehtë Ndërmarrja e Landfillit. Por nuk mund ta imagjinoni se me çfarë kemi të bejmë. Një impiant jashtëzakonisht kompleks. Mjedisi, kompostimi, penetrimi në shtresat e nëntokës (askush nuk mund ta dijë se si është izoluar shtresa e plastikës), shkarkimi i gazrave, riciklimi, sistemi i transportiereve, eliminimi i mbetjeve që nuk lejohen të kompostohen me të tjerat. Mbase nuk i kanë parashikuar fare këto procese teknologjike. Kush e di? Pse nuk e menaxhon Shkodra?
Ndoshta një blasfemi të tillë mjedisore do ta tregojë në vitet e ardhshme edhe kontaminimi i bimësisë perreth, në mos pastë filluar që herët. Por më e rënda mund të shfaqet në kontaminimin e ujërave të nëntokës. A e dini se çfarë janë basenet nëntokësore? Shkodra furnizohet prej një të tillë. Nuk është shumë larg me Bushatin. Varet nga strukturat nëntokësore. Po lëre këtë, pak me tutje rrjedh Drini. Shkodra është ujëmbledhësi më i madh në Rajon. Ndoshta edhe aty mund të kenë filluar problemet.
Ku është media? Pse nuk bën intervista të fshatrat përreth, se mbase u kanë filluar edhe problemet e dëmtimit të tokës bujqësore. Arsye kryesore që pse u bë ristrukturimi i Bashkive dhe reduktimi i tyre, nuk ka qenë domeni politik i zonave, por më së pari rritja e aftësive menaxhuese të burimeve natyrore dhe forcimi i kapaciteteve për realizimin dhe menaxhimin e investimeve. Krijimi i lehtësive në menaxhim, sepse të ashtquajturat Komuna u kthyen në Feude.
Nuk bëje dot një Ujësjelles, sepse tubat kalonin nga Komuna ngjitur që nuk jepte leje, etj., etj. Por Feudet nuk qekan larguar prapseprap. Tani pritet të përseritet historia e plehrave të Napolit. Pandemi! Hajde menaxhim hajde! Në çfarë strategjie mjedisore mbeshtet ky lloj menaxhimi? A është vënë ndonjë Landfill i ri për këtë zonë sepse këtij që pash, shpejt do t’i vijë fundi.
Një inspektim profesional do të ishte emergjent. Me këtë rast lë të bëhet kjo gjë, e të lihen menjanë këto gjëra kaq butaforike siç është ai i mbylljes së derës. Duhet parë mbase edhe nga pikepamja juridike një gjë e tillë. Mendja ma merr se nuk duhet të jetë një veprim i lejueshëm ligjor. Ndoshta do tu vijë pak thartë, se jeni bërë gati ti versuleni me metoda të sofistikuara Voltanës. Por Voltana nuk hyn fare ketu. Shikoni punën nga pikëpamja teknike e mjedisore më së pari, pastaj të tjerat. Kaq, ju pershendes të dashur miq. /Nga Sadedin LIMANI, ish- Drejtor Departamentit të Menaxhimit të Projekteve në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës/