Përgjatë dy dekadave të fundit të diktaturës, më së shumti barcaletave antikomuniste u vishej autorësia e Tef Palushit, një qytetari shkodran, emri i të cilit, pa e pasur të nevojshme të shoqërohej me figurë, do të bëhej i njohur në gjithë vendin.
Mesazhi i këtyre lloj barcaletave, rreptësisht të ndaluara nga regjimi komunist, do të listohej mes grimcave të pakta të argëtimit shpirtëror të pjesës më të madhe të shqiptarëve.
Bashkë me pëshpëritjen vesh më vesh, me përjetimin që ndryhej, ngrohte dhe përgëzonte shpirtin e të gjithë atyre që i dëgjonin dhe shpërndanin, barcaletat antikomuniste ishin edhe një shfrim hakmarrës ndaj situatës anakronike të varfërisë, sidomos ekonomike, ndaj prapambetjes dhe ndryshimeve ulëritëse krahasuar me pjesën tjetër të botës.
Sigurisht që talenti i Tef Palushit për humor nuk kishte se si të lulëzonte në një terren të panjohur dhe të përshtatshëm.
Ai jetoi në Shkodër, në vendin ku gjeografia dhe historia, së bashku, kishin shkaktuar ca përthyerje ekstreme dhe ku mënyra e të folurit me nënkuptim, batutat e shpotitjet mes banorëve të fiseve të malësorëve të Mbishkodrës, kishin shekuj që kultivoheshin.
Por edhe vetë qyteti kishte një harbim ngjyrash. Aty përballeshin kultura nga më piktoresket, njerëz me kombësi dhe religjione të ndryshme. Aty – malësorët e padalë, por finokë nga natyra, piqeshin e shpotiteshin me tregtarët e pacipë, pak më tej – të diplomuarit në universitetet e Vjenës, Berlinit e Romës, të pakënaqur për jetën që po çonin dëm, kishin në majë të gjuhës krahasimet, si nata me ditën, të dy kulturave – asaj që kishin lënë pas me atë që kishin përballë.
Të gjithë i bënte bashkë dialekti geg i shqipes, krejt i përshtatshëm për batutat e kursyera e kërcitëse, që herë kapeshin e shkaktonin të qeshura të përmbajtura, e herë treteshin tej bashkë me idhënimin e tyre.
Talenti i Tef Palushit nuk mund të kishte kuptim pa Shkodrën, me kalimin e kohës pagëzuar edhe si kryeqyteti i humorit. Vetëm këtu Tef Palushi, falë talentit, do të mund të ngrihej përmbi shpatullat e gjithë mjeshtrave të tjerë duke u pagëzuar, pa asnjë mëdyshje, si “Mbreti i Barcaletave”!
Për shkurt – Tef Palushin – dhe gjatë – Shtjefën Palushin – rrëfejnë se ka punuar si dizenjator në Fabrikën e Pëlhurave të Shkodrës, ku duhej të përgatiste modelet që stampoheshin mbi prodhimet tekstile.
I lindur me probleme shëndetësore, pjesërisht i paralizuar, ata që e kanë njohur dëshmojnë se problemi më i madh i tij ishte ecja, zhvendosja nga një vend në tjetrin.
Për të, edhe disa dhjetëra metra rrugë në këmbë, ishin një stërmundim i vërtetë.
Por Tefa nuk i fshihej këtij problemi, apo qoftë shëmtisë fizike. Si të kërkonte t’u vinte pas avazit atyre që e rrethonin, qoftë duke i’u zgjuar e përkëdhelur sedrën, apo paqtimin, ai e bënte atë pjesë të batutave dhe barcaletave të tij.
Tef Palushi ishte kryemjeshtri i humorit të batutës. Në Shkodër të gjithë e njihnin se ai e kishte një përgjigje gati për çdo situatë ngacmuese, apo një kundërpërgjigje flakë për flakë ndaj batutës së lëshuar nga një i njohur apo i panjohur. Ai ishte, siç thonë në Shkodër: Hazër – xhevap.
Ndërsa përgjigjet e zgjuara i gjente në brendësi të fjalëve të tjetrit, apo fenomenit, qoftë sendit që ato shënjonin.
Veç punës në Fabrikën e Pëlhurave e dizajnimit të skenografive për shfaqje të ndryshme, Tef Palushi zotëronte edhe një tjetër talent të rrallë. Ai ishte i jashtëzakonshëm në ideimin dhe skicimin e karikaturave. Ishte një dhunti që shpejt do të kapërcente Shkodrën dhe trokiste në dyert e revistës së mirënjohur humoristike “Hosteni”.
Brenda kornizave të kohës, por me ca gjetje të jashtëzakonshme, fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i viteve ‘80 të shekullit të shkuar e gjejnë Taf Palushin një ndër karikaturistët më të preferuar të kësaj reviste, së paku duke e gjykuar nga punimet e përzgjedhura për kopertinën.
Në kohët e pasdiktaturës, artistët, mes tyre edhe humoristët, janë vënë në shënjestër edhe të një debati që ende nuk ka marrë një orientim të qartë. Shumëkush i ka quajtur bashkëpunëtorë të sistemit, shumëkush – thjesht artistë, që me artin e tyre u kanë larguar mendjen shqiptarëve nga hallet e shumta dhe të përditshme, në pak raste është folur edhe për disidentë.
Pjesë e këtij debati është bërë edhe figura e Shtjefën Palushit, i cili në vitet 70- 80 të shekullit të shkuar, megjithëse kishte gjuhën tepër të hidhur, në asnjë rast të njohur nuk është sulmuar apo goditur nga regjimi komunist.
Gjykuar nga batutat që ka lënë pas, një mendim ka shkuar edhe në favor të idesë së Tef Palushit si disident.
Ronald Regan, Presidenti i 40 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilit më së shumti i njihet merita e shembjes së sistemit komunist lindor, e kishte bërë zakon, që në daljet publike, ligjëratat ti niste me një barcaletë të ardhur nga vendet e Lindjes Komuniste.
Qëllimi ishte i qartë. Kapitalizmi po triumfonte, komunizmi po shembej, barcaletat antikomuniste rrëfenin më mirë se çdo argument tjetër kalbëzimin e një rendi shoqëror krejtësisht të dështuar.
Më e plotë, rëndësia e barcaletave antikomuniste, është sjellë në një studim të vitit 2007, me autor sociologun britanik, Christie Davies, profesor dhe ish-president i shoqatës ndërkombëtare për studimin e humorit.
Sipas tij, në shoqëritë komuniste të mesviteve 1940, deri në vitin 1989, humori, si protestë sociale, nuk fshikullonte vetëm individët dhe liderët politikë, por të gjithë sistemin social dhe politik, ideologjinë e tij, ritualet dhe mitet.
Sipas këtij studimi, barcaletat antikomuniste ishin batuta që pëshpëriteshin dhe që nuk mund të publikoheshin në mediet e vendeve ku rrëfeheshin. Ishte shpotia e të pafuqishmit kundër të plotfuqishmit, ishin një produkt kolektiv, pa autorë dhe origjinë të dallueshme…
Në vitet ’80 të shekullit të shkuar, barcaletat më tipike antikomuniste të përhapura në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të komunizmit lindor, janë grumbulluar edhe nga CIA, shërbimi inteligjent amerikan.
Për habi, përmbajtja e njërës prej tyre është e njëjtë me të një barcalete, që në Shqipërinë e viteve ‘80, sigurisht e përshtatur për terrenin shqiptar, vihej në gojën e Tef Palushit.
“Një eskimez e pyesin se çfarë do të bënte nëse Bashkimi Sovjetik do të hapte kufijtë.
Ai përgjigjet se do të hipte në pemën më të lartë, nga frika se turma do ta merrte përpara dhe shtypte me këmbë”.
Pra, në këtë pikë, argumentet tentojnë ta largojnë Tef Palushin nga autorësia e barcaletave antikomuniste.
Këtë thotë edhe studimi i profesorit britanik, Christie Davies, sipas të cilit barcaletat antikomuniste nuk kishin autorë të njohur, këtë thotë edhe fakti tjetër, që në gojën e Tef Palushit janë vënë një pjesë të barcaletave antikomuniste më të spikatura të emetuara nga populli në Bashkimit Sovjetik, apo vendet e tjera komuniste.
Por gjithsesi, autorësia e barcaletave dhe veshja e tyre janë nocione me peshë të ndryshme.
Në peshoren e vlerave, sigurisht që veshja e barcaletave, të dala në vendet e tjera komuniste, e rrit madhështinë e talentit të Tef Palushit.
Dhe kjo ka të ngjarë të jetë krejtësisht e vërtetë. Pasi Tef Palushit nuk i kanë veshur vetëm barcaletat më të hidhura të vendeve të Lindjes Komuniste. Pas vdekjes, atij i janë veshur edhe karikatura.
Në vitin 1991, gazeta e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, në faqen e parë të saj, do të publikonte një karikaturë të Presidentit Ramiz Alia duke peshkuar e kapur vetëm skeletin e një peshku. Skica rrëfen dështimin. Edhe pse nga vdekja e Tef Palushit kishin kaluar gati 6 vite, dikush ishte kujdesur, që të përfund punimit, të linte siglën e tij.
Shtjefën Palushi e mbylli me këtë jetë në korrik të vitit 1985 në moshën 41 – vjeçare. Nuk u martua kurrë, dhe nuk la trashëgimtarë, pasi shëndeti i lig nuk ja mundësonte.
Në memorien e materializuar Tef Palushi la pas një numër konsiderueshëm karikaturash, ndërsa në memorien e kristalizuar të shqiptarëve është ngjizur dhe do të kujtohet përjetësisht si babai i barcaletave antikomuniste.
Çdo hamendësim tjetër do të provokonte një varg të pafund dhe të pathyeshëm kundërshtarësh.
Kjo është përmbajtja e serisë së radhës së ciklit Abc/Story, të gazetarit Ferdinand Dervishi. /abcnews.al/