Vllaznia nuk është mjaftuar vetëm me Avdijajn dhe po tenton me çdo mënyrë që të përforcojë sulmin. Gjithnjë llogaritë bëhen për titull, duke qenë se është shkëputur me 9 pikë nga ndjekësit. Dje ka mbërritur në Shkodër sulmuesi 28-vjeçar nga Guinea, Salim Cise.
Ai që sot do të vihet nën urdhrat e trajnerit Brdariç dhe stafit të tij, me qëllim bindjen e tyre për të vijuar bashkëpunimin me skuadrën e Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Salim Cise është 1.85 metra i gjatë dhe në karrierën e tij ka luajtur me Arecon në Itali, ku ka mundur të shënojë 13 gola në vitin 2012. Gjithashtu është aktivizuar për skuadra si Academica, Aroucan, Victoria Olhanensen, me Sportingun e Lisbonës B e së fundi me Amaranten në Portugali.
Në CVnë ka edhe eksperiencat me rumunët e Politehnica Iasit dhe grekët e Trikalasë. Sulmuesi nga Guinea pritet që më parë të bindë stafin teknik për gjendjen fizike dhe atletike. Por, me shumë gjasa qëndrimi i tij te Vllaznia do të varet edhe nga e ardhmja e Dungës me kuqeblutë.
Nëse Dunga kthehet në Shkodër, atëherë edhe stafit teknik të skuadrës mund të mos i duhet një numër kaq i madh sulmuesish pasi për repartin ofensiv të kuqebluve, tani kanë në organikë emra si Ardit Hoxhaj e Haris Dilaver që kanë mbajtur peshën e sulmit gjatë kësaj periudhe, por edhe Albion Avdijajn, që iu bashkua skuadrës pak ditë më parë.
Mesfushori shqiptar Emir Murati, i cili është pjesë e të rinjve të Milanit, mund të bëhet pjesë e Vllaznisë në të ardhmen. Mediat italiane raportonin dje se futbollisti i datëlindjes 2000 pritet të huazohet te kryesuesit në fuqi të Kategorisë Superiore deri në fund të sezonit.
Aventura e fundit e Muratit ka qenë te Pro Sesto në Serinë C, por nuk ka gjetur hapësira dhe është rikthyer në klubin kuqezi. Mesfushori ka lindur në Itali, por ka luajtur edhe me moshat e Kroacisë, teksa pritshmëritë për të janë të larta. Ai luan në rolin e organizatorit, por drejtuesit e Vllaznisë kanë saktësuar se nuk ka asnjë marrëveshje.
“Murati na është ofruar së fundmi dhe ne po shqyrtojmë mundësinë. Natyrisht, nuk na leverdis shumë që të marrim në huazim një lojtar të ri, ta rrisim dhe ta ndihmojmë të evidentohet, por në fund të na ikë.
Minimalisht ne e duam për një vit e gjysmë. Megjithatë, do ta vlerësojmë me kujdes”, tha për “Panorama Sport” drejtori Matko Djarmati. Murati ka pasaportë kroate dhe italiane.