“Juban Danja- Murlani” e ka marrë shumë seriozisht pjesën e mbetur të sezonit dhe kërkon padyshim që të jetë protagoniste në ndeshjet e mbetura të kampionatit ashtu edhe në ato të Kupës së Shqipërisë.
Bashkëpunimi i nisur në mes dy shoqatave, asaj “Juban Danja” dhe “KF Murlani”, ka nisur të japë efektin e vet sepse presidentët Ferdinand Jaku dhe Përparim Rraboshta kanë bërë menjëherë lëvizjet e para për forcimin e skuadrës.
Nga sa bëhet e ditur, po shikohet mundësia e marrjes së ndonjë lojtareje në Kosovë dhe përpjekjet për këtë kanë nisur prej kohësh, por në pritje të marrjes së tyre, drejtuesit kanë bërë një lëvizje tjetër.
Mësohet se “Juban Danja- Murlani” ka arritur një marrëveshje me Vllazninë për huazimin prej kësaj të fundit të tre lojtareve dhe kjo gjë tashmë është bërë realitet.
Bëhet fjalë për futbollistet Arlinda Piranej, Edlira Çerkini dhe Riselda Leba. Madje, të tre këto lojtare që prej ditës së sotme kanë qenë në dispozicion të trajnerëve Legata e Karma dhe kanë luajtur në ndeshjen që “Juban Danja- Murlani” fitoi me rezultatin 4-0 ndaj Skënderbeut. /ShkodraSport/