Bulumspor nuk ia doli të bindte Vllazninë që të linte të lirë Ardit Hoxhaj. Golashënuesi më i mirë i Superligës deri në këto momente, ka marrë një tjetër ofertë nga Turqia. Këtë herë është Samsunspor në ligën e parë që ka kontaktuar lojtarin dhe shkodranët.
Gjithçka për detajet mbetet e fshehtë, ndërsa nuk është çudi që një ofertë më e mirë se ajo e para të bëjë që sulmuesi 26 vjeçar të lërë kategorinë Superiore.
Vlonjati ka ndjekur në rrjetet sociale klubin turk, presidentin dhe trajnerin e ekipit turk, ndërsa për “Haber1964” është shprehur se të ardhmen e vendos Vllaznia, por do donte të bashkohej me një klub si Samsunspor.
“Samsunspor është një klub që më pëlqen, pasi ka një tifozëri të madhe dhe do të doja të bëhesha pjesë e tij. Megjithatë unë kam një kontratë me klubin tim, Vllazninë dhe vendimi u takon drejtuesve”, shprehet Hoxhaj.