Me 8 korrik 2006 mbylli sytë në Itali. Shkoi për tu kuruar nga një problem shëndetësor dhe pas operacionit njoftoi familjarë e të afërm se shkoi gjithçka mirë dhe se po bëhej gati të kthehej në Shqipëri. Në fakt u kthye, por në një arkivol të mbyllur.
Ishte ky epilogu i Pjetër Arbnorit, një personaliteti të padiskutueshëm të Shqipërisë e që fatkeqësisht, u bë i njohur pas vitit 1990.
Sot është ditëlindja e tij. Axha Pjetër, siç e thërrisnin me shumë respekt shumica e atyre që e njohën, do të festonte 86 vjetorin. Me shumë mundësi, nëse rrugëtimi i tij nuk do të ndërpritej krejt ashtu papritur në Itali, ai do të ishte mes nesh. Sepse ajo e Pjetër Arbnorit, ishte një ikje jo e zakontë.
E kemi njohur personalisht, e kemi intervistuar me dhjetra herë, kemi pirë kafe së bashku edhe atëherë kur ishte shpallur gati “non grata” edhe nga shumë persona brenda PD- së së asaj kohe. Madje edhe shkodranë, të cilët supet e tij të brishta i përdorën edhe për tu ngjitur në karrierë.
Nuk mendojmë se është e nevojshme të flasim sot për Pjetër Arbnorin. Kemi shkruar shpesh herë dhe shumë pak ka mbetur pa e thënë nga ajo që kam ditur. Edhe sot e kujtojmë shpesh për dy shprehje. Njëra, “nuk janë socialistë por janë specialistë” është e njohur botërisht. Ndërsa tjetrën, që mbase shumëkush mund ta ketë dëgjuar nga afër, publikisht e tha në një nga bisedat televizive në pauzën e një emisioni në Shkodër: Axhë, duhet me thanë gjithmonë të vertetën por jo tana të vërtetat! E buzagazi i tij i lehtë na shoqëroi për mjaft kohë. Deri atëherë, kur diku në vitin 2006, erdhi në Shkodër si përfaqësues i një forumi për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.
Nuk e kishte më atë buzagaz. Ishte mjaft i prerë. Nuk kërkoi asgjë për të pirë në kafen përballë ish- TV Rozafës. Një mik dhe bashkëpunëtor i tij i afërt (nuk po ia përmend emrin), i ofroi një pije duke ia lënë mbi tavolinë. Pak kohë më pas, Pjetër Arbnori nuk do të ishte më.
Në të gjallë të tij, pavarësisht asaj që dukej, kishte shumë më tepër kundërshtarë, për të mos thënë armiq. Direkt ose indirekt, u përpoqën ti mveshin shumë “mëkate” e akuza. Duke nisur nga ngjarjet e fillim viteve ’90 e deri në orët e fundit të jetës. Ajo çfarë ishte flagrante, ishte kandidimi në mazhoritar në një zonë të Malësisë së Madhe, përballë një kandidati shumë të fuqishëm financiarisht dhe me fis autokton e duke e lënë gati publikisht vetëm edhe strukturat e PD- së së asaj kohe. Që në momentin që i doli emri në atë zonë, të paktën në mes komunitetit të gazetarëve, pohohej se ishte caktuar që Pjetër Arbnori të mos fitonte mandatin e deputetit.
Pas 2005- ës, kur PD- ja e tij u rikthye në pushtet pas 8 viteve opozitë, për Pjetër Arbnorin u ngushtuan të gjitha hapësirat. Sot, secili mund të thotë çfarë të ketë dëshirë, por e vërteta ka qenë pikërisht kjo. I mbetur jashtë parlamentit jo për fajin e tij, Pjetër Arbnorit nuk iu dha apo iu refuzua edhe pozicioni i ambasadorit. Edhe pse nuk e shprehur gati asnjëherë, dëshira e tij ishte Vatikani. E kjo, nga “përfaqësues” të katolicizmit shqiptarë në politikën e lartë!
Sot, kur jo pak kujtohen se Pjetër Arbnori ka ditën e lindjes, Suzanës dhe fëmijëve, të afërmeve të tij, mund ti shkojnë qindra apo mijëra mesazhe në respekt të bashkëshortit e prindit. Nuk është çudi që mes tyre, të jenë ata që ia përshpejtuan ikjen nga kjo botë. E me shumë mundësi, Suzana, vajza e djali i Pjetrit, e dinë këtë sepse jetuan me të dashurin e tyre edhe në momentet më të vështira, të asaj që unë marr guximin ta quaj publikisht braktisje e Pjetër Arbnorit.
Para disa viteve, si kryetari i parë i parlamentit pluralist të pas 1990- ës, Pjetër Arbnorit i vendosën një bust në shenjë nderimi e respekti. E kemi thënë dhe e përsërisim, janë jo të paktë ata që e preferonin “Mandelën e Shqipërisë” në formën e një busti. Ta nderonin, ti vinin kurora e tufa me lule, të qanin por edhe të gëzonin, si ditën e sotme të lindjes së tij. Edhe jashtë burgut, jeta e Pjetër Arbnorit nuk ishte aspak e lehtë. As para dhe as pas 1990- ës. Arsyet u përpoqëm ti sqarojmë, këtë herë, në respekt të Pjetër Arbnorit, pa përmendur emra! /Shënim i ShkodraWeb Media/