Ndahet nga jeta në mënyrë të parakohshme anëtari i Akademisë së Shkencave, studiuesi i shkencave matematike akad. Petraq Petro
Petraq Petro, anëtar i Akademisë së Shkencave që nga viti 2008, profesor i njohur, matematikan, u nda nga jeta në mënyrë të papritur e të parakohshme.
Kryesia e Akademisë së Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta anëtarëve të saj, familjes së tij shkencore; bashkësisë së studiuesve të shkencave matematike; trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës ku ai ushtroi veprimtarinë e tij mbi gjysmëshekullore akademike dhe universitare; brezve të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij; familjes dhe të afërmve që i la në pikëllim.
Akad. Petraq Petro do të mbahet mend për kontributet e tij shkencore të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit në fushën e matematikës së specialitetit dhe të algjebrës, si autor tekstesh shkollore dhe universitare (jo pak por rreth 25 tituj të botuar dhe ribotuar duke nisur që nga viti 1970); si studiues kreativ i fushës që iu kushtua (mbi 25 artikuj shkencorë të botuar pjesa më e madhe jashtë vendit në revista të profilizuara me faktor impakti dhe me pranim me konkurrencë); si titullar lëndësh dhe drejtues i programeve dhe tezave doktorale; si përfaqësues i njohësve të matematikës dhe algjebrës në institucionet më të rëndësishme të punës dhe kërkimit shkencor, që nga katedra deri tek këshillat dhe komitetet shkencore kombëtare dhe këshillat botues të revistave të profilizuara brenda dhe jashtë vendit.
Në vitet e fundme ai kryesoi me një energji komisionin e përhershëm të matematikës që funksionon pranë Akademisë së Shkencave.
U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, i paharruari Petraq Petro. /Njoftim për mediat i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë/