Shumë njerëz që nuk e njohin me themel Vatrën dhe rrugëtimin historik që ajo ka bërë, e mohojnë identitetin politik të saj. Sa herë kam dëgjuar e lexuar që Vatra nuk është marrë kurrë me politikë! Duke mos bezdisur askënd me shkrime “eklektike” e filozofike, sidomos për lexuesin e “vëmendshëm” do rekomandoja shkrimet kronologjike dhe historike të ciceronit, kryeredaktorit të “Diellit”, Dalip Greca. Aty do gjejnë përgjigjet e pikëpyepyetjeve, kurse dembelët dhe “dijetarët” e internetit le t’i thërrasin kujtesës së fakteve të paharrueshme, thjesht, duke evokuar dy themeluesit e Vatrës, të cilët qenë thellësisht veprimtarë politikë. Njëri, Kryeministër (Fan Noli), dhe tjetri ambasador i Mbretërisë Shqiptare (Faik Konica).
Jo rastësisht, para se të fillonte sulmi ndaj Serbisë naziste, Presidenti Bill Klinton takimin final do e zhvillonte me lidershipin e Vatrës. Kjo tregon se statusi patriotik i Vatrës, kuptohej qartazi nga Presidenti Klinton si një status politik. Dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm i raportit apo i raporteve politike të Vatrës me institucionet e larta amerikane. Nëse Vatra do e kishte shmangur këtë qasje, me siguri ajo nuk do ishte marrë në konsideratë nga autoritetet e larta të Sh. B. A.
Krerët e fundit të Vatrës, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Dritan Mishto deri tek kryetari aktual, Elmi Berisha …, të gjithë veprimtarë politikë! Për të mos harruar Arshi Pipën!
Që të kuptojmë më mirë se si duhet të veprojë Vatra, është më mirë të kemi të qartë se si nuk duhet të veprojë. Për ta definuar këtë po i referohem ish sekretarit të nderuar të saj, shkrimtarit Naum Prifti, i cili shqetësohej gjithnjë se Vatra ishte kthyer në një kafe, ku mblidheshin e flitej vetëm për të kaluarën dhe për ca fletushka pa brumë, por asgjë për të ardhmen… andaj duhej një frymë e re për ta rinovuar dhe forcuar se po të vazhdohej ashtu… Vatra do jepte shpirt!
Vizioni i Dr. Buçaj, Agim Rexhaj etj, bëri që Vatra të hapej. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vatra e kolosëve vizionarë, e Konicës dhe Nolit, nuk mund të mbetej një organizatë onorifike për pritje e përcjellje me interes muzeal, por si fuqi gjeneruese misionare kombëtare.
Nëqind Vjetori i Vatrës, vërtetoi plotësisht se ajo është dhe mbetet një shtyllë e politikës kombëtare, duke mbledhur senatorë e kongresmenë, priftërinj e hoxhallarë, ambasadorë e gazetarë, akademikë e artistë etj, eveniment që u nderua dhe nga Kryeministri Shqipërisë, Sali Berisha. Një takim madhështor me një mesazh kuptimplotë!
Në Kuvendin e Floridës, me propozimin tim u votua unanimisht, që të shtohej në Kanunore një amendament (jo i kamufluar si më parë për vetë rrethanat e Kanunores së vjetër në ligjet e kohës): “Vatra merret me politikë kombëtare!”
Me ardhjen e diplomatit Mishto, Vatra adaptoi një vizion të ri. Pranë saj u afruan dhe ato personalitete, të cilëve pa të drejtë u ishte mbyllur dera. U nderuan figura nacionale, si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj, shkrimtari Naum Prifti, Prof. Nikolla Pano, Ekrem Bardha etj.
Kursi i ri frymëzoi dhe afroi rininë që më parë ishte skeptike. Plani kulturor me në krye Frederik Ndoci dhe Gëzim Nika solli një atmosferë të gjallë, festive. Mishto, për herë të parë krijoi një Kabinet, sipas stilit perendimor dhe shef të kësaj strukture emëroi Dr. Pashko Camaj, një personalitet me vlera intelektuale dhe nacionale, ndërsa si Këshilltar, Marko Kepi, një politikan dhe nacionalist i ri me vizion më konservator. Dielli formatoi faqen në gjuhën angleze me redaktore Rafaela Prifti.
Mbrëmja akademike e 110 – vjetorit të Diellit e kryesuar nga Dalip Greca, Fran Shkreli dhe Rafaela Prifti, tregoi se “mineralet” e Diellit janë pasuri kombëtare. Gazeta “Dielli” është e vetmja gazetë e pakicave kulturore në USA e cila, denjësisht arkivohet që nga numri i parë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
Takimet në Departament të Shtetit nga Mishto, më vonë nga Berisha apo dhe udhëheqës të Vatrës me politikanë të dy partive amerikane, kanë treguar dhe tregojnë se Vatra ndjek një strategji të drejtë politike në funksion të mbajtjes e të rritjes së raporteve të ngushta amerikano-shqiptare, sipas interesave historike të atdheut tonë.
Le t’i hedhim një sy maratonës së Kryetarit të ri, Elmi Berisha: firmosja e Memorandumit me Dardaninë, protokolli i takimeve me liderët politikë në territoret amtare, vizita gjithëpërfshirëse në Tiranë që përveç efekteve pozitive që pati, nxori mësime dhe detyra objektive për të ardhmen.
E kuptoj se, disa kolektorë të së keqës, të prirur ta përziejnë atë që duhet ruajtur e kultivuar me atë që është për t’u tretur, asnjëherë nuk kanë dashur ta kuptojnë rolin dhe rëndësinë e Vatrës. Dëshira e tyre është që ta paralizojnë, ta bëjnë sa më inaktive në misionin politik të saj, por fatmirësisht ndodh e kundërta, ajo po rritet dhe forcohet përditë.
Vatra si një familje e madhe kombëtare, ka në rradhët e saj figura të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë: akademikë, politikanë, mësues, shkrimtarë, gazetarë, doktorë, artistë, profesorë, ushtarakë, juristë, biznesmenë, punëtorë etj., me një dëshirë të përbashkët, ruajtjen e vlerave nacionale në diasporë. Prandaj një nga përparësitë e saj është dhe ruajtja dhe zhvillimi i identitetit gjuhësor si kushti kryesor për kultivimin e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e kulturës sonë edhe këtu, për çka në mënyrë konkrete, ka ngritur dhe një shkollë në gjuhën amtare bash në selinë saj.
Çdonjëri ka të drejtë të gjykojë dhe të japë mendimin e vet qytetar, modest apo relevant për Vatrën, por jo hamendësime të dëmshme qëndisur me shpifje e penelatë bastarde.
Vatra ka që prej themelimit nga etërit e vet një mision të pandryshuar: të punojë energjikisht për realizimin e një shteti nacional shqiptar në kufijtë territorialë të Shqipërisë Etnike.
No matter what, trenin ekspres të Vatrës të Shekullit XXI askush nuk mund ta ndalë drejtë destinacionit! /Nga Alfons GRISHAJ, nënkryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”/