“25 laborantëve klinikë të Spitalit Rajonal të Shkodrës u është kërkuar dorëheqja”. Pohimi është bërë ditën e sotme nga kryetari i Sidikatës së Pavarur të Shendetësisë për Shkodrën Paolo Kaceri. Së bashku me kryetarin e BSPSH- së Shkodër, Albert Tuka, ata kanë dalë para mediave dhe kanë dhënë versionin e tyre lidhur me largimin e 25 laborantëve klinikë nga puna.
Kaceri ka theksuar se sherbimi është dhënë me koncension nga Ministria e Shendetësisë. Sipas tij, në një nga pikat e kontratës me kompanitët koncesionare, parashikohet që 25 laborantët të paraqesin dorëheqjen, të regjistrohen si punë kërkues dhe më pas të negociojnë me koncesionarin mundësinë e rifillimit të punës. Kaceri ka thënë se janë shkelur disa nene të disa ligjeve dhe të kontratës së punës.
Kryetari i BSPSH- së Shkodër Albert Tuka, ka shtuar se çeshtja do të ndiqet në rrugë ligjore. Ai ka kujtuar se shteti, përmes taksapaguesve shkodranë e shqiptarë, do të detyrohet të paguajë me rroga 25 laborantët klinikë, nëse do të hiqen nga puna. Ai ka lënë të nënkuptohet se beteja ligjore është e fituar nga BSPSH dhe laborantët, duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje që 25 laborantët të vazhdojnë punën edhe me koncesionarin.