Në vendin tonë, vazhdimisht ka pasur përmbytje, madje edhe katastrofike, me pasoja të rënda ekonomike, sociale, ekologjike. Midis tyre dallohen: përmbytjet e mëdha në dimrin e viteve 1962-1963 në Ultësirën; përmbytjet e fundvitit 1970 dhe të fillimvitit 1971; të viteve 2009–2010, 2011, dhjetor 2017, mars 2018 në rajonin e Shkodrës; përmbytjet e shkurtit 2015 nga Vjosa dhe Drinosi, nga Semani, Zeza etj.; përmbytjet e janarit 2016 nga Shkumbini, dhjetor 2017, të shkurtit 2018 nga Vjosa dhe Semani. Këto përmbytje sollën dëme ekonomike jashtëzakonisht të mëdha (miliona euro), probleme të mëdha sociale, mjedisore, ekologjike afatgjata; rrezikuan jetë njerëzish etj. Edhe në janarin e këtij viti u përmbytën disa zona të vendit, banorët e të cilave përjetuan situata tmerri, ankthi dhe frike, të shkaktuar nga lagështira dimërorë dhe trysnia e tmerrshme e pandemisë Covid-19. Pasojat e tyre i ndien i gjithë vendi.
Pyetjet që lindin janë të shumta; cilët janë shkaqet, cili është roli i veprimtarisë njerëzore dhe i politikës, pse janë shtuar përmbytjet e mëdha kohët e fundit, a mundet të evitohen ato apo të paktën të minimizohen dëmet e tyre?. Do të mundohemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.
Përmbytjet lidhen me shkaqe natyrore dhe humane. Veprimi i këtyre shkaqeve duhet parë dhe analizuar në kompleks dhe të pandarë nga njeri-tjetri. Theksojmë se kushtet natyrore mund të gjenerojnë përmbytje të mëdha. Veprimtaria njerëzore e pastudiuar, spontane, e drejtuar nga interesa politike apo përfitimi i çastit, i nxit dhe i intensifikon ato, deri në katastrofike. Ndërsa veprimtaria humane e studiuar dhe afatgjatë mund t’i evitojë, t’i rrallojë ose t’i zvogëlojë në minimum dëmet e tyre.
Shkaqet natyrore janë klimatikohidrologjike dhe gjeomorfologjike. Te të parët dallohen: shirat e gjatë intensivë e frontalë në gjithë vendin ose në pjesën më të madhe të tij. Veçanërisht të mëdha janë prurjet e lumenjve kur këto shira kombinohen me shkrirjen e shpejtë të dëborës. Në disa raste, gjatë furtunave, valëzimi i madh detar merr drejtim normal me grykëderdhjet e lumenjve, duke penguar derdhjen e lirshëm të ujerave të tyre në det, rrit kështu përmasat e përmbytjeve. Në dhjetëvjeçarët e fundit janë shtuar dhe intensifikuar rastet e reshjeve intensive, tej vlerave të tyre mesatare. Studiuesit mendojnë se këto janë pasoja të ngrohjes globale të klimës, e lidhur kjo me problemet e mëdha mjedisore, si efektin serë, ndotjen, shkatërrimin e bimësisë etj. Konferenca Botërore e specialistëve të ndryshimeve klimatike (Montreal, 2005) theksoi se “… vitet që do të vijnë, do të kenë verë sahariane dhe dimra polarë”. Ky konkluzion i frikshëm po vërtetohet, po bëhen më të shpeshta ngjarjet e jashtëzakonshme meteorologjike, me pasoja katastrofike, si: thatësira dhe shira intensive e të zgjatura, që do të sjellin përmbytje të mëdha. Kjo kërkon që të veprojmë qysh tani, madje jemi vonë.
Veprojnë edhe faktorë të tjerë natyrorë: pjerrësia e madhe e shtretërve dhe e shpateve të pellgjeve ujëmbledhëse të rrjedhjeve të sipërme e të mesme të lumenjve zëvendësohet me pjerrësi fare të vogël të shtretërve të rrjedhjes fushore të tyre, ku ka akumulim të madh. Ndaj, shtretërit e tyre, janë të cekët, të meandruar dhe, si të tillë, nuk mund të përcjellin sasinë e madhe të ujit të prurjeve maksimale. Jo vetëm kaq. Në fushat e Ultësirës sonë Perëndimore ka edhe sektorë në nivel të detit, apo edhe nën këtë nivel. Shumë prej tyre ishin të mbuluar nga këneta. Tharja dhe bonifikimi i tyre u realizua me ngritje mekanike të ujit nëpërmjet sistemit të dendur të kanaleve kulluese dhe hidroforëve të fuqishëm. Këta sektorë janë të parët që përmbyten dhe shumë shpejt kthehen në këneta, nëse nuk mirëmbahet sistemi kullues.
Veprimtaria humane mund të intensifikojë përmbytjet ose t’i evitojë apo minimizojë dëmet.
Në dhjetëvjeçarët ‘50-’80 të shek. XX u bonifikuan shumë këneta, u sistemuan dhe u thelluan shtretërit e rrjedhjeve fushore të lumenjve dhe u ndërtuan argjinatura, që shoqërojnë rrjedhjen e poshtme të tyre, duke rritur aftësinë e tyre përcjellëse të ujit; u ndryshuan disa shtretër: Drini i Lezhës, Gjadri, Kalasa e Bistrica etj. Ndërtimi i liqeneve të mëdha për hidrocentralet në lumin Drin, Mat e Bistricë ndikoi dukshëm në zbutjen e prurjeve maksimale.
Duhet theksuar se, duke njohur rrezikun e vazhdueshëm të përmbytjeve, gjatë gjithë verës punohej për të pastruar e thelluar kanalet kulluese dhe shtretërit e lumenjve, riparoheshin argjinaturat dhe viheshin në gatishmëri hidrovorët, që shkarkonin në det rreth 250 m3 /sek. Kjo u drejtua nga Instituti i Bonifikimeve, që përgatiste projektet dhe ndiqte zbatimin e tyre nga ndërmarrjet e mëdha të bonifikimit. Rezultatet ishin të dukshme: u përballuan me sukses intensitete të reshjeve mbi 200-230 mm në 24 orë dhe u pakësuan dëmet e përmbytjeve. Natyrisht, këto ndërhyrjet shtuan gërryerjen e plazheve, dëmtuan biodiversitetin, peizazhin.
Me të drejtë shtrohet pyetja pse pas vitit 1990 janë shtuar përmbytjet e mëdha?
Kjo lidhet jo vetëm me shtimin e ngjarjeve jo të zakonshme meteorologjike, por në radhë të parë me veprimtarinë spontane, kaotike humane, si: dëmtimi i madh i bimësisë në pellgjet ujëmbledhëse, që rriti sasinë dhe shpejtësinë e futjes së ujit të reshjeve në rrjedhje; braktisja e sistemimeve malore antierozive; braktisja e mirëmbajtjes, madje dëmtimi i sistemit kullues (argjinaturave, kanaleve kulluese, hidrovorëve etj.), nuk mungojnë as rastet e privatizimit të disa kanaleve kulluese; dëmtimi i shtretërve të lumenjve nga marrja e materialeve inerte; lëvizjet e mëdha të popullsisë, ndërtime pa kriter e vendosja e banesave dhe e aktivitetit ekonomik afër lumit ose në tokën e lumit; keqmenaxhimi i kaskadave të hidrocentraleve etj. Këtë e tregon edhe analiza e përmbytjeve në rajonin e Shkodrës dhe në Myzeqenë e Vlorës.
Në përmbytjet e mëdha të Shkodrës, në vitet 2009–2010, 2011, dhjetor 2017, mars 2018, përveç faktorit të përhershëm gjeomorfologjik, kanë vepruar fuqimisht reshjet intensive, të kombinuara me shkrirjen e shpejtë të dëborës, dhe nyja hidrografike liqeni i Shkodrës-Drin–Bunë. Roli i kësaj nyje shfaqet gjatë reshjeve intensive, kur rryma e fuqishme e Drinit pengon rrjedhjen normale të qetë të Bunës. Në këto raste, liqeni i Shkodrës kthehet në liqen pa rrjedhje. Për pasojë, ai zgjerohet dhe përmbyt hapësira të gjera përreth, madje edhe Shkodrën. Drini i Bunës dhe sidomos kur u hodh edhe Drini i Lezhës, po mbush shtratin e Bunës me depozitime, duke e bërë atë më të paaftë për të përcjellë sasi të madhe uji. Të dhënat flasin se Buna përcjell rreth 1300 – 1400 m3 /sek ujë, ndërsa plotat e saj dhe të Drinit kanë arritur 6000-7000 m3 /sek.
Ndërtimi i hidrocentraleve të kaskadës së Drinit (Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës) krijoi kushte për të pakësuar përmasat e përmbytjeve, ndërsa ndërtimi i H/C të Bushatit, krahas mirëmbajtjes së sistemit kullues, do ta zgjidhte apo do të shpëtonte Nënshkodrën nga përmbytjet e Drinit e Bunës. Sepse ky H/C, i planifikuar kohë më parë, do të devijonte derdhjen e Drinit në Bunë nga Bahçallëku në mbas Daragjatit. Por ky H/C nuk u ndërtua sipas këtij parashikimi. Austriakët, me koncesion, ndërtuan një hidrocentral për interesat e tyre, në gjysmën e rrjedhjes, duke lënë po në Bahçallëk shkarkimin e Drinit në Bunë. Specialistët theksojnë se edhe dy ndërtime të tjera të fundit ndikojnë ndjeshëm në rritjen e përmasave të përmbytjeve: këmbët e urës së re të Bunës, pengojnë rrjedhjen e lirshëm të ujit të këtij lumi, duke ngritur nivelin e liqenit, ndërsa rikonstruksioni i rrugës automobilistike nga kthesa e Bërdicës në Baçallëk krijoi një pritë.
Ndaj, gjatë prurjeve të mëdha të Drinit, përmbytet lagjja e banuar dhe ana tjetër e saj.
Në shkaqet e tjera njerëzore dallohen: ndërtimet kaotike në gjithë fushën, madje edhe në zonat e ulëta të ish-kënetave, të cilat prishën rrjetin e kanaleve kulluese; keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, duke hapur portat e hidrocentraleve që rriti përmasat e përmbytjeve.
Edhe përmbytjet e fillimit të janarit 2021, më të shumta dhe më të mëdha në rajonin e Shkodrës, u kushtëzuan nga të njëjtat shkaqe. Kjo tregon se ende problem i përmbytjeve te ne është shumë i mprehtë, urgjent dhe larg zgjidhjes.
Sipërfaqja e përmbytur nga Vjosa dhe Semani, në periudhën 31 janar-5 shkurt 2015 dhe në dhjetor 2017, shkurt 2018, arriti deri në disa dhjetëra mijëra hektarë dhe shumë qendra të banuara. Edhe këto përmbytje u lidhën me reshjet intensive e të gjata që u kombinuan me shkrirjen e shpejtë të dëborës. Ndërsa nga faktorët antropogjenë, krahas të tjerëve, probleme krijoi mënyra e ndërtimit dhe vendosja e traseve të autostradave Levan-Tepelenë dhe Levan–Vlorë.
Masat e mara fill mbas këtyre përmbytjeve (për fat të keq kujtohemi për këto katastrofa vetëm kur ato ndodhin) nuk u mbështetën në studime të thelluara dhe të detajuara të shkaqeve dhe të masave efikase mbrojtëse sipas një strategjie dhe programi të mirëstudiuar. Ndaj, përmbytjet po përsëriten, madje më shpesh dhe më katastrofike. Buxheti publik vazhdimisht është rënduar nga shpenzime prej miliona euro, të paguara për punime që nuk e kanë zgjidhur asnjë herë problemin. Sepse ato janë parë e konsideruar si fushata elektorale, dhe jo si detyrim i çdo qeverie për të parandaluar përmbytjet apo për të minimizuar pasojat e tyre.
Për të gjithë duhet të jetë e qartë se ekzistojnë të gjitha mundësitë, kuptohet jo për të penguar rënien e shirave e stuhive të mëdha, apo për të ndryshuar tiparet gjeomorfologjike të vendit, por për të ndërtuar dhe mirëmbajtur një sistem mbrojtës efikas dhe të qëndrueshëm, të mbështetur në studime e koncepte të qarta shkencore dhe në një sistem ligjor, që e konsideron sistemin kullues pronë publike dhe nën përgjegjësinë e shtetit jo vetëm ngritjen e tij, por sidomos mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të kanaleve kulluese, të shtretërve të lumenjve, argjinaturave, hidrovorëve etj.
Për të evituar përmbytjet ose të paktën uljen në minimum të pasojave negative të tyre duhet të ringrihet Instituti i Bonifikimit, i cili të ndërtojë strategji dhe plane veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë për përmbytjet, të studiojë dhe të projektojë zgjidhje të qëndrueshme të problemeve të mëdha të përmbytjeve në vendin tonë. Për këtë duhet: përafrim dhe zbatim i Direktivës Europiane të Përmbytjeve; riorganizimin e institucioneve monitoruese të lumenjve e parashikuese të përmbytjeve; mirëmbajtje të vazhdueshme dhe të përvitshme të sistemit kullues dhe të shtretërve të lumenjve, argjinaturave, hidrovorëve etj; bashkëpunim e bashkërendim i institucioneve dhe i grupeve të interesit, ekspertëve të fushave të ndryshme në plane dhe programe veprimi të përbashkëta; zbatim rigoroz i Moratoriumit të pyjeve; ndërmarrja e masave antierozive të harruara prej kohësh etj.
Rëndësi thelbësore ka gjetja e mundësisë së zhvendosjes në truall të sigurt të fshatrave, që janë përmbytur vazhdimisht dhe janë më të rrezikuar, shumica e të cilëve janë krijuar pas vitit 1990, nëpërmjet ndërtimeve kaotike. Pa dyshim gjetja dhe vendosja në truall të sigurt e tyre duhet të paraprihet nga studime të detajuara, që duhet të kryhen nga grupe studiuesish dhe ekspertë të disa fushave. Kjo, veç të tjerave, do të evitojë vendosjen e tyre mbi trupin e rrëshqitjeve të hershme, por që mund të riaktivizohen nga punimet dhe reshjet e gjata e intensive. /Nga Prof. Dr. Perikli QIRIAZI/