Pandemia globale duket se do të ndikojë në mënyrën se si partitë politike në Shqipëri do të ofrohen te qytetarët për të bërë fushatë. Një prej tyre, që duket se ka përshtatur fushatën e saj në kushtet e imponuara nga pandemia, është partia Demokratike.
Në situatën kur grumbullimet me më shumë se 10 veta nuk lejohen, PD-ja ka vendosur që të shkoj te çdo familje shqiptare fillimisht për t’i identifikuar, jo vetëm votuesit e tyre, por për të marrë shqetësimet dhe idetë e tyre se çfarë duan që të ndryshojë në qeverisjen e vendit dhe më pas do t’i prezantojë programin e saj.
Gazeta “Panorama.al” ka siguruar një udhëzim që selia blu i ka shpërndarë koordinatorëve lokalë të PD-së. Udhëzimi përmban strategjinë se si do të shtrihet fushata në të gjithë Shqipërinë.
NISJA E FUSHATËS
Sipas këtij dokumenti, duke filluar që nga mesi i këtij muaj, strukturat e PD-së në çdo degë kanë ndarë zonat përkatëse dhe kanë nisur të trokasin në çdo derë për të identifikuar votuesit. Në këtë fazë të rinj vullnetarë kanë disa detyra.
“Faza e parë (realizohet nga grupe të rinjsh vullnetarë, shoqëruar nga një person përgjegjës i caktuar për një zonë të caktuar, pjesë e strukturës së partisë apo i caktuar nga struktura e Partisë): Për të identifikuar votuesit, për t’u bërë atyre disa pyetje, për të mbajtur shënim (regjistruar) problemet e tyre. Për të mbajtur shënim (regjistruar) preferencat e tyre të votimit, me qëllim identifikimin e votuesve të sigurt të PD-së, votuesve potencialë (që kanë votuar në të shkuarën për PD-në dhe janë të gatshëm që të votojnë edhe në të ardhmen), apo të votuesve të sigurt të partive të tjera. Për t’i dhënë një mesazh përmbledhës për të votuar PD-në, duke i treguar në mënyrë të përmbledhur, Lulzim Bashën dhe dështimet e Edi Ramës”, thuhet në udhëzimin e PD-së.
Pasi të kenë identifikuar problemet dhe nevojat e qytetarëve, vullnetarët e PD-së do të rikthehen sërish te qytetarët që ishin më parë, por këtë herë së bashku me një nga kandidatët për deputet. Në këtë takim ata duhet t’u tregojnë qytetarëve për kandidatin për Kryeministër dhe programin e PD-së. Kjo fazë e fushatës do të zgjasë nga data 6 mars deri më 20 prill.
“Faza e dytë (kandidatët për deputetë, të shoqëruar nga një grup të rinjsh vullnetarë): Për t’u treguar votuesve për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Për t’i bindur që të votojnë për Partinë Demokratike. Për t’u dhënë atyre një pjesë të literaturës së fushatës (broshurë). Për të bashkëbiseduar me ta dhe për t’u prezantuar zgjidhjet që ofron Partia Demokratike për problemet e tyre”, vijon udhëzimi.
POROSITË PËR VULLNETARËT
Faza e parë e fushatës së PD-së do të bëhet nga të rinj vullnetarë të Partisë Demokratike dhe si të tillë ekziston mundësia që të mos kenë informacion të plotë për ndonjë çështje konkrete. Në këtë kuadër selia blu porosit të rinjtë që në rast se përballen me pyetje që nuk dinë përgjigjet, i porosit ata që të mos improvizojnë dhe manipulojnë përgjigjet, por të tregojnë se duhet të informohen për t’i dhënë një version të saktë.
“Kur ju bëjnë një pyetje që nuk mund t’i përgjigjeni, mos e improvizoni, mos gënjeni dhe mos e manipuloni përgjigjen. Thjesht tregojini votuesit se jeni vullnetar, se nuk e dini përgjigjen, por do ta zbuloni dhe do t’i ktheni atij përgjigje. Pastaj paraqisni pyetjen e votuesit te mbikëqyrësi juaj, ose direkt në Selinë Qendrore, cilado qoftë çështja”, shkruhet në udhëzim. Reklama e drejtpërdrejtë konsiderohet si një nga më të suksesshmet nga specialistët e komunikimit. E tillë është edhe strategjia që po aplikon opozita. Por edhe në këtë rast, ka disa teknika që hartuesit e këtij udhëzimi kujdesen që të porosisin njerëzit e tyre.
“Jini shumë miqësor, plot me energji dhe entuziast. Mos improvizoni, por u qëndroni besnik pyetjeve dhe mesazhit siç është në formatin bashkëlidhur. Toni i zërit dhe gjuha e trupit janë të rëndësishme. Një buzëqeshje thotë më shumë se mijëra fjalë. Mësoji pikat e formatit bashkëlidhur dhe mos lexoni gjatë kohës që bashkëbisedoni me votuesin”, thuhet në udhëzimin e PD-së.