Sot në emisionin Pressing është i ftuar drejtori sportiv i Teutës, Sulejman Starova. Ai në fjalën e tij e la për një moment ekipin durrsak dhe foli për ndeshjen mes Vllaznisë dhe Kastriotit.
“Kampionati me 10 skuadra e ka të garantuar konkurencën. Edhe në fund po bëhet luftë e lezetshme. Tirana tani është keq dhe rrezikon. Lart është garë për në UEFA. Edhe Kukësi me këto 2 fitore pas kësaj krize mund të pretendojë titullin.
Vllaznia e super- meriton vendin e parë dhe i falet edhe ndonjë hap fals si ai me Kastriotin, ndërkohë që Teuta e Partizani lanë pikë. Hidhërimi pas ndeshjes me Kastriotin i kthehet në bonus psikologjik pas barazimit të sotëm të Partizanit e Teutës. Kastrioti e parkoi autobusin sepse ashtu zgjodhi, por u shfaq para portës.
Kastrioti ka luajtur mirë me të gjithë. Presion? Kallaku erdhi te Teuta të stërvitej kur ishte me pushime dhe tregonte se në Kroaci ndodh ndryshe. Këtu ka presion të madh dhe shumë ndryshe nga në Europë, ku harxhohen miliona”, u shpreh Starova.
Ish- lojtari i kombëtares shqiptare Andi Lila e ka vlerësuar maksimalisht ecurinë e sivjetme të Vllaznisë duke i thurur elozhe të gjithë drejtuesve të saj, stafit teknik por edhe lojtarëve.
Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” dhe duke folur në lidhje me skuadrën shkodrane është ndalur edhe tek kapiteni Gurishta, për të cilin u ka bërë thirrje stafit të kombëtares ta grumbullojnë sa më shpejt në rradhët e saj.
“Vllaznia po na tregon të gjithëve sesa mirë po luan futboll. Po na tregon të gjithëve sesa mirë është simbioza në mes Bashkisë dhe drejtuesve të klubit. Zonja Voltana Ademi ka bërë një punë të shkëlqyer sivjet. Të gjithëve na kujtohen rastet kur njerëz të ndryshëm futeshin në fushë dhe kërcënonin trajnerët e kështu me rradhë.
Nga një pësim, ata e kanë bërë sot mësim dhe ja ku janë. Vllaznia është në vendin e parë, po luan futbollin më të mirë, ka marrë një trajner të huaj, ka marrë një zëvendëstrajner të mrekullueshëm.
Ka një kapiten si Gurishta për të cilin i them trajnerit të kombëtares dhe skautëve të kombëtares që të hapin sytë sepse duhet ta grumbullojnë këtë djalë në kombëtare sa më shpejt.Gurishta është një lojtar me shumë vlera, ka personalitet dhe e meriton të jetë në kombëtare.