Është zyrtare! Vllaznia përforcohet me një mesfushor nga Mali i Zi. Siç ishte paralajmëruar, Milos Kalezic ka nënshkruar me kuqeblutë. Klubi shkodran ka zyrtarizuar lëvizjen përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ku drejtori sportiv Djarmati dhe Kalezic shtrëngojnë duart.
“VLLAZNIA FIRMOS ME MILOS KALEZIÇ
KF Vllaznia bën të ditur se pasditen e sotme ka firmosur me futbollistin malazez Milos Kaleziç. Ai luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe ka firmosur një kontratë njëvjeçare me opsion zgjatje edhe për një vit tjetër.
Mirê se erdhe tek Vllaznia Milos!”, thuhet në njoftimin e klubit shkodran në faqen zyrtare në Facebook.
Me një karrierë të pasur në kampionatin malazez, 27-vjeçari Kalezic do të rrisë konkurrencën në organikën e Thomas Brdariç, për një vend në formacionin titullar.
Së fundmi, nga gushti 2020, ai ka qenë pjesë e skuadrës së OKF Titograd, ku është aktivizuar në 17 ndeshje duke shënuar edhe 1 gol. Luan në qendër të mesit të fushës dhe dallohet për goditjet e tij të dënimit. Gjatë karrierës së tij, 27-vjeçari është aktivizuar edhe me Buduçnost, Mogren, Grbalj, Samorin, Iskra, Sloboda Tuzla dhe Petrovaç.