Në dhjetorin e vitit të largët 1960, Pjetër Gacin e morën ushtar në Golem të Kavajës. Ishte 29 vjeç. Vinte nga “Çajkovski” nga Liceu artistik i Tiranës, nga TOB-i etj., me një barrë përvoje muzikore. Ushtarëve të repartit u bëri përshtypje ky rekrut “i ri” në të tridhjetat. Me urdhër nga lart e ngarkuan qysh në janar të përgatiste një program artistik për 10 Korrikun, ditën e ushtrisë.
Kësisoj iu desh të shkonte në shtëpinë e kulturës Durrës. Teksa po hynte, po i hanin veshët ca tinguj pianoje të nxjerrë nga duart e një amatori. Kur hyri brenda pa një oficer kokoroç, të veshur me rroba të reja ushtarake që po i “binte” pianos. E pa me përçmim. Oficeri e vuri re dhe, duke menduar se ndodhej përballë një ushtari të stërkequr, që kushedi nga vinte e pyeti:
“Ke parë ndonjëherë nga këto gjëra?”
Pjetri nuk foli, iu afrua pianos, e ledhatoi me mallin e një diçkaje të dashur dhe i mori leje oficerit të ulej në tastierë. Ky e lejoi. Pjetri luajti me një rrëmbim virtuoz përroin polifonik të tokatës dhe të fugës në re minor të Bahut.
Hapësirat e shtëpisë së kulturës u mbushën me tinguj jetëdhënës. Ata që e dëgjuan u mahnitën. Pasi u çmerit nga ky interpretim, oficeri i shkretë nuk iu afrua kurrë më shtëpisë së kulturës, jo më pianos. /Publikuar nga Zija Vukaj në Facebook/