NGA Besnik DIZDARI
Atipik edhe sepse askush nuk paramendoi se do të ndodhte kjo “hata”, siç po nënkuptohet prej disave, të cilët po “mahniten” që kampionia në fuqi, SK Tirana, është në vendin e 6-të; që KF Kukësi është në të pestin; që Partizani është mbas 16 javëve bukur 9 pikë larg Vllaznisë së Shkodrës.
Po aq sa dhe Teuta e Durrësit. Kampionati është atipik, mbi të gjitha, sepse papritmas, kryesohet prej Vllaznisë së Shkodrës e cila para dy vitesh ishte në Kategorinë II dhe vitin që shkoi zbriti deri te ndeshjet kualifikuese për të qëndruar ose për t’u ripërjashtuar nga Kategoria I – kjo e ashtuquajtura në mënyrën më artificiale të mundshme “Superliga e Shqipërisë”. Kampionati, ky 2020-2021, është atipik, sepse zhvillohet pa spektatorë, çka edhe për Shqipërinë përbën një rast unik, pra të herës së parë.
Kjo do të thotë se po për herë të parë nuk ka asnjë vlerë ndikuese “fusha ime” apo “fusha jote”, “fusha vendase” apo “fusha mike”. Për të vazhduar më tej, ky është një kampionat atipik edhe sepse kryesuesja e tij, Vllaznia e Shkodrës, ka rrëmbyer kreun duke pasë vetëm nja 4 lojtarë që i ka nxjerrë futbolli i famshëm për ne, që është ai i Shkodrës.
Numri kësisoj më i paktë në krejt historinë e saj. Atipik, sepse ky kampionat me vetëm 10 skuadra përfaqësimin e tij “kombëtar” – nëse vërtet e meriton të quhet i tillë – e ka të valëvitun prej një flamuri “kombëtar” që e lëkund era vetëm në qerthullin gjeografik verior, nëse me verior kuptojmë Shqipërinë mbi Shkumbin: janë Vllaznia e Shkodrës, SK Tirana, Partizani i Tiranës, Teuta e Durrësit, KF Laçi, KF Kukësi dhe Kastrioti i Krujës.
Kjo do të thotë se 70 për qind e skuadrave të kampionatit të Republikës së Shqipërisë i përkasin Shqipërisë së Epërme, siç e quanin albanologët Shqipërinë e Veriut. Më tej, kjo do të thotë se këtij kampionati atipik i mungon thuajse krejt Jugu i Shqipërisë ose Shqipëria e Poshtme. Kështu, sepse kjo përfaqësohet në të vetëm me 30 për qind të tokës shqiptare.
Madje, kur kujton se Apolonia e Fierit dhe Bylisi i Ballshit, edhe pse të Jugut, janë shumë afër Shkumbinit, gati-gati na thotë mendja se Jugu mirëfilli i Shqipërisë përfaqësohet prej vetëm një skuadre, që është Skënderbeu i Korçës, i cili sapo është bërë gati t’i ikë edhe ai kampionatit kombëtar, teksa ndodhet në vendin e fundit të tij! Ky kampionat “anti-Jug” nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë në Shqipëri.
Kështu pra, kampionati 2020 -2021 është atipik “par excellence”, sepse jashtë tij janë KS Elbasani, Flamurtari i Vlorës, Besa e Kavajës (kjo fare pranë Shkumbinit, megjithatë), KS Lushnja, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës (ky i fundit, madje, tash nuk është më në asnjë kampionat!). E, nëse zbret në Kategorinë II skuadra jonë e famshme e viteve të fundit, që është Skënderbeu i Korçës, atëherë kampionati kombëtar i Shqipërisë ia vlen të mbyllet derisa të na vijnë mendtë në krye. Sigurisht, atyre që e kanë katandisë deri këtu.
Dhe mbasi të mbyllet, ndoshta ia vlen të shkarkohen të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë atipizëm, që në të vërtetë është akombëtarizëm. Mandej, natyrisht do të duhej të vinin njerëz të tjerë, të përgjegjshëm, të cilët e ndiejnë fort mirë se pa Kavajë e Vlorë, pa Berat e Lushnjë, pa Gjirokastër e Elbasan e ndoshta edhe pa Korçë, sidomos për sot në shekullin 21, kampionatit të Shqipërisë është pak t’i thuash atipik.
Ai është tradhtues i kombit të tij, i vetë Shqipërisë dhe historisë së saj. Në të vërtetë ky është kampionati i vetëm katër qyteteve të mëdha: Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë. Edhe kjo si asnjëherë tjetër në krejt historinë tonë të kohës moderne. Se kush është fajtor i gjithë kësaj mpakjeje atipike, kjo dihet fort mirë. Në të vërtetë, më e pakta janë nja katër fajtorë të cilët po i përsërisim edhe kësaj here. E para është Federata Shqiptare e Futbollit me gjithë asamblenë e saj “të famshme”, tejet të nënshtruar, që veç hesht!
Është kjo dyshe FSHF – asamble e cila qysh në 2015, për të 7-in vit me radhë organizon këtë kampionat me vetëm 10 skuadra dhe që me sa duket vë buzën në gaz kur ia kujton se jashtë tij janë 6 qytetet e mësipërme tradicionale të futbollit shqiptar. Absolutisht sikur të thërrasë njerëzit më të mençëm për këto punë, kjo dyshe FSHF – asamble nuk është në gjendje të argumentojë se kampionati duhet të jetë vetëm me 10 skuadra, çka përjashton bukur e mirë, e pakta 6 qytete kryesore.
Dhe e vetmja “mirësi” e këtij organizimi të shifrës 10 është se në këto 7 vjet radhazi të tij kanë zbritur në Kategorinë II SK Tirana, Vllaznia e Shkodrës, KS Elbasani, Apolonia e Fierit, KS Lushnja. Dhe nëse ky quhet progres (rritje) e organizimit të shifrës 10, atëherë na i ka marrë ne zoti mendtë!…
Por që edhe më kryeforti nuk e beson. Pa dyshim fajtore është edhe Ministria e Arsimit për të cilën për fat ende shumëkush nuk di se cilët janë inspektorët e saj të sporteve, cilat janë detyrat e tyre, çfarë sektorësh mbulojnë, cilat janë përgjegjësitë e tyre dhe përse prej asnjë prej këtyre zyrave ministrore aty pari, nuk dëgjohet asnjë zë në trajtimin e problematikave që këto zyra e rrëmbyesit e tyre, drejtojnë në këtë ministri.
Në fund të fundit, qoftë edhe për justifikimin e rrogave bukur të shëndetshme që marrin falë parave të taksapaguesve shqiptarë. Shumica prej të cilëve, madje, janë dhe amatorë të mëdhenj të skuadrave të futbollit të qyteteve të tyre me të cilat ata, në një mënyrë ose tjetër, gëzoheshin duke larguar për do kohë shqetësimet e tyre falë të shtunave e të dielave të futbollit. Vërtet, si nuk e kuptojnë që me ngushtimin e pranisë së skuadrave më të shquara të qyteteve të Shqipërisë, ua kanë hequr këtë gëzim. Dhe kjo është fort e rëndë, tejet e rëndë, krejt e rëndë!…
Mandej kalojmë nga ministria te qeveria e saj të cilën sot e kësaj dite nuk dimë nëse ka të paktën një këshilltar për sportet pranë njeriut që është ngarkuar me detyrën e kryeministrit. Qeveritë e botës kanë sektorë të veçantë sportivë pranë kryeministrit të tyre. Pa dashur t’i bëjmë jehonë regjimit që shkoi, i cili të tillë ai kishte jo vetëm në Kryeministri, por dhe në Komitetin Qendror të Partisë.
Kështu mbërrijmë te përgjegjësia tjetër, ajo që i takon KOKSH-it për fat sot me plot probleme edhe ky. Kudo probleme, pra! Dhe, me sa duket, edhe KOKSH nuk ndien asnjë përgjegjësi për këtë mpakje të garës më të madhe sportive të kombit, që dihet se është sporti i futbollit dhe kampionati i tij kombëtar. Më mbarëkombëtari, më tradicionali, më thelbësori i atij që quhet forca e shpirtit olimpik.
Nëse këta katër “bashkëfajtorë” do të bashkoheshin në një, kushedi se sa fort do të ndikonin për t’i dhënë Shqipërisë kampionatin e vërtetë ku të përfaqësoheshin të gjithë ato qytete që aq fort e meritojnë e që aq fort po ia çmeritojnë. Kampionati i “shifrës 10” me ngushtësinë e tij të pamëshirshme tregoi se tash 7 vjet që organizohet kësisoj, nuk ka asnjë rritje, çka thërret fort për përmbysje të tij.
Nuk është e rastit që gjatë gjithë këtyre 7 viteve kanë rënë në Kategorinë II pikërisht të famshmit tanë, Partizani SK Tirana, Vllaznia, KS Elbasani, Flamurtari. Dhe këtë e quani rritje? Të gjitha kryesisht kanë rënë thjesht prej një shkaku: për shkak të numrit të paktë, të vetëm 10 të skuadrave në kampionat. Vështroni: Vllaznia ka zbritur thjesht jo sepse është renditur e 13-ta apo e 14-ta, renditje këto që për gati 40 vjet të çonin në Kategorinë II, por ngaqë është renditur thjesht në vendin 9. Elbasani sepse është renditur në vendin 10.
Edhe Skënderbeu pati rënë thjesht ngaqë u rendit në vendin 9 e Partizani thjesht ngaqë u rendit në vendin 10. Këta drejtues të sotëm, me sa duket, kënaqësinë më të madhe e kanë kur përjashtojnë skuadra. Nuk ndalin. Edhe sivjet duan të përjashtojnë 3 skuadra ndër 10 gjithsej, sepse përsëri edhe skuadrën që zë vendin e 8-të në Shqipëri, pra që është ndër 8 skuadrat më të mira të kombit, duan ta zbresin në Kategorinë II, përderisa e çojnë në ndeshje të ashtuquajtura “play out”! Këta janë njerëzit e mendësisë së përjashtimit.
Ndërkohë që nuk duan t’ia dinë për asnjë çast për nivelin aspak në rritje të Kategorisë II së cilës për t’u justifikuar në mënyrë më dinake, rrêjshëm e quajnë “Kategori I” duke ia falë në cenim të historisë këtë emër që mbi 70 e sa vjet e mbajti kampionati kombëtar i Shqipërisë. E patën detyruar edhe FIFA-n që në almanakun e saj, mbasi ajo respektonte FSHF-në teksa e detyruar te kapitulli i Shqipërisë shkruante “Kategori 1”, hapte kllapën dhe shtonte shifrën “2” për të thënë se është rangu 2, jo rangu 1 i futbollit në Shqipëri.
Të vjen fort çudi që shumica e gazetarëve, sidomos në TV, e thonë me plot gojën “Kategoria e Parë”, kur ajo është “e Dytë”. Ose, nuk e dinë që kampionatit i Kategorisë së Parë i Shqipërisë ka qenë për gati 70 vjet kampionati i parë kombëtar, pse u janë nënshtruar me përulje shtrembërimeve historike të FSHF-së. Nuk e dinë që historinë nuk e bëjnë federatat, por gazetarët, sidomos historianët. Dhe e shihni se si mbasi belbëzuan se këtë kategori, që e quajnë “1”, do ta bënin në një grup të vetëm me 16 a 18 skuadra, prapë brenda javës e ndanë në dy grupe, një ndarje thuajse mizore së cilës shpejt do t’i kushtojmë një shkrim të posaçëm. Lindin pyetjet:
* Si guxon Federata Shqiptare e Futbollit të mos u japë asnjë përgjigje deri më sot kërkesave të mbi 30 drejtuesve e trajnerëve të klubeve të cilët kanë kërkuar zyrtarisht shtimin e skuadrave në kampionatin e parë kombëtar të Shqipërisë? Mos është një pronë vetjake kampionati i Shqipërisë? * Si ka mundësi që paraqitet sikur ka formuar Ligën Kombëtare a Profesioniste të Futbollit dhe çon në krye të saj zëvendëspresidentin e saj, i cili më në fund, me sa duket, u bind për pavlefshmërinë juridike të këtij pseudothemelimi dhe ma sa është thënë ka dhënë dorëheqjen? E doemos, mbas këtij veprimi, e drejta e moralit nuk e lejon atë kurrsesi që të rikthehet te roli i zëvendëspresidentit të FSHF-së!…
* E pra, çka e pengon themelimin e Ligës Kombëtare a Profesioniste të Futbollit, e cila t’i thotë “lamtumirë” FSHF-së, të riorganizojë në pavarësi ligjore kampionatet pa i marrë leje asaj e të drejtojë e ndjekë çdo javë zhvillimin e tyre? Duke filluar nga shortet e kampionateve që nuk duhet të dalin më asnjëherë tjetër nga zyrat e FSHF-së, por nga zyrat e kësaj lige, natyrisht mbasi ajo të legjitimizohet, pra të jetë plotësisht e vërtetë.
Sepse, e dini që kështu ndodh në të gjitha shtetet e Europës me përjashtim të Shqipërisë. Pa harruar që në krye të saj mandej të zgjidhen të aftët e vërtetë të futbollit kombëtar po aq sa specialistë apo zyrtarë të mirënjohur, të ditur e të shquar. Dhe po aq të ndjeshëm ndaj historisë e, pse jo, edhe të historisë sociologjike të futbollit kombëtar.
Mjaft më me njerëz që nuk i njeh askush. * Ndërkaq: Si ka mundësi që qeveria shqiptare nuk shqetësohet aspak që qytete kryesore janë jashtë kampionatit të Shqipërisë? Deri aty sa, bie fjala, stadiumi modern i Elbasanit e ka skuadrën duke marrë rrugën për në Kategorinë III. Përse e paske ndërtuar këtë stadium, për ta shndërruar në neutral apo për t’i shërbyer qytetit të vjetër të Elbasanit aq fort sportiv – kampion i Shqipërisë edhe në futboll, madje dy herë?
* Si ka mundësi që Komitetit Olimpik Shqiptar (KOKSH) nuk i dëgjohet askund zëri për rrënimin e atij që po e quajmë shpirti olimpik që përçohet plot forcë edhe përmes një kampionati mbarëkombëtar të futbollit? * FSHF e di se plot 3 skuadra: Kastrioti i Krujës, KF Kukësi i Kukësit e deri diku edhe Partizani i Tiranës, nuk luajnë në qytetet e tyre. Dhe hesht? Pra, 30 për qind e skuadrave! Fakt ky që komprometon vetë asnjanësinë e vendeve të zhvillimit të ndeshjeve të një kampionati, çka cenon tejet vërtetësinë zyrtare të garës. Si në asnjë vend të Europës, edhe kjo.
* Vërtet, si ka mundësi që e gjithë gjeopolitika e futbollit të kampionatit kombëtar të Shqipërisë sot është përmbledhur në Tiranë? Partizani, SK Tirana, KF Kukësi dhe po na vjen edhe Dinamo – e kjo do të thotë se kampionati i ardhshëm ka mundësi t’i ketë 40 për qind të skuadrave nga Tirana! Prapë si askund tjetër në Europë! Kjo nuk ngjason sigurisht as me rastin e Anglisë, siç mund të hidhet përpjetë për të na e kujtuar ndonjë kryefortë në mbrojtje të FSHF-së. Në Angli, kryeqyteti Londër ka vërtet 6 skuadra në kampionatin e saj kombëtar që është e famshmja Premier League. Janë Crystal Palace, Fulham, Arsenal, West Ham, Chelsea, Tottenham.
Plot 6 skuadra. Mirëpo, Anglia ka 20 skuadra në kampionatin e parë të saj, çka do të thotë se 30- përqindëshi kryeqytetas i saj nuk cenon gjeopolitikën e futbollit që zbret veri – jug nga Newcastle e Leeds deri te Brighton e Southampton e në veriperëndimin me Manchester e Liverpool apo me Anglinë qendrore me Leicester e Sheffield. Po si mund të guxojmë e të krahasohemi me Anglinë e Londrën? Ne na duhet të krahasohemi vetëm me Shqipërinë tonë tradicionale e moderne po deshe. Pra, jo me këtë aktuale që po zhduk nga futbolli elitar gjithë Jugun e Shqipërisë. Gjysma (50 për qind) e skuadrave tona të kampionatit tonë të parë janë larg njëra-tjetrës punë 30-50 kilometrash: Laç-Krujë-Tiranë-Durrës. Mjerim i tanë! Pse jo, edhe kundëratdhetari!
Cenim i plotë i përhapjes cilësore, qytetare, të politikës madje, të një kampionati kombëtar të futbollit të një kombi të tanë. Dhe duan të organizojnë edhe kampionat a Kupë Kosovë – Shqipëri, kur ende nuk arrijnë të organizojnë kampionat shqiptar veri – jug apo perëndim – lindje. Shkoni edhe njëherë te harta që ka botuar kohët e fundit “Panorama Sport”. Se hartat tona të botuara para 20 e ma vjetëve ishin vërtet atdhetare teksa futbolli i kampionatit shtrihej anekënd skajeve gjeografike të Shqipërisë.
Eh, po ato ishin kampionate me 14 e 16 skuadra! Jo me 10. Asokohe vërtet që kishte plot kuptim organizimi i një Kupe Shqipëri – Kosovë, siç e patëm propozuar pa na përkrahur askush. Ky, pra, është kampionati atipik i Shqipërisë 2020- 2021. “I privatizuar”, i rrëmbyer, i përvetësuar, i ngushtuar prej një grupi të vogël njerëzish të cilët, me sa duket, e trajtojnë sikur të ishte i oborrit të shtëpisë së tyre. Dhe si mbyllje, për ta “qetësuar” disi lexuesin, po i rikthehem paksa zhvillimit të tashëm të këtij kampionati.
Për çudi, shohim që sikur ka vetëm një shqetësim: të mbërrihet një orë e më parë Vllaznia kryesuese. Dhe me shqetësimet e shqetësimeve: Përse ka rënë Tirana në vendin e 6-të e KF Kukësi në të 5-tin; apo përse Partizani e Teuta janë 9 pikë larg Vllaznisë? E shihni se sa pak flitet prej atyre që quhen komentatorë apo analistë, bie fjala, se çka po ngjet me Skënderbeun e Korçës, sundimtari i pashlyeshëm euro-shqiptar i vitet ‘10 të shekullit XXI – përjashtimi i mundshëm i të cilit prej kampionatit të parë të Shqipërisë do ta shndërrojë këtë kampionat edhe më jojugor.
E një dukurie kjo, që të çarmatos, thuajse “lokale” madje, ngaqë gati e gjitha ndodhet në afërsi të qendrës së lumit Shkumbin apo atij të Tiranës!… Dhe sa interesant! Janë nënshtruar kësisoj të gjithë.
Sidomos çuditem se si janë nënshtruar kësisoj vetë Vlora e Gjirokastra, vetë Elbasani e Berati, vetë Kavaja e Lushnja. Kaq “e frikshme” qenka Federata Shqiptare e Futbollit! E pra, po të revoltoheshin sadopak këto qytete, ato do të shihnin se do të ishin përballë jo një kalaje të patundshme, por përpara një tigri prej letre, siç ka thënë Mao Ce Duni për shoqërinë kundërshtare të tij. Sepse, futbolli dhe kampionati kombëtar nuk është i saj, por i Shqipërisë, i bashkësisë kombëtare të futbollit. Franzo Grande Stevens, avokati i famshëm italian i familjes Agnelli, këshilltar i Gianni Agnelli-t dhe i John Elkann-it, e pra edhe lider udhëheqës i klubit Juventus, ka thënë:
“Në një bashkësi të çfarëdo përmasash, rezultatet nuk varen nga kultura dhe sjellja e personave të veçantë sado të shquar të jenë, por nga kultura dhe sjellja mesatare e të gjithë anëtarëve të bashkësisë që përfaqësojnë rezultatet e gjithë grupit”. Këtu po e mbyll.