Në vigjilje të ndeshjes ndaj ish-skuadrës së tij, Skënderbeut, trajneri i Kukësit, Mirel Josa është shfaqur në konferencën për shtyp për të folur për këtë takim, e cila është e programuar të zhvillohet nesër me fillim nga ora 13:45 në stadiumin “Skënderbeu”, duke analizuar këtë përballje speciale për të. Tekniku kryeqytetas foli gjithashtu për situatën aktuale në kampionat, lëvizjet në merkato, si dhe për objektivat e verilindorëve.
Premierë në Korçë- “Është premierë sepse mbroj ngjyrat e një skuadre tjetër, të Kukësit, që kanë pasur përherë rivalitet me Korçën, gjatë periudhës që unë kam qenë nën drejtimin e Skënderbeut. Për mua është një ndeshje si gjithë ndeshjet e tjera. Duke respektuar kundërshtarët në maksimum. Pavarësisht pozitave ku ndodhet në klasifikim. Gjithsesi unë dua të flas për skuadrën time, aq sa e kam parë, kemi treguar oshilaciano gjatë kësaj periudhe. Ndeshjet e fundit skuadra është munduar të rehabilitohet dhe këtë e ka bërë me shumë kujdes.
Jam në një skuadër të cilën e njoh deri në një farë grade. Gjatë këtyre ditëve, lojtarët kanë punuar me shumë oreks. Kanë punuar me vetëmohim dhe pa pasur parasysh të kaluarën se çfarë kanë bërë. Rendimenti im në këtë skuadër, është të mos krahasoj kurrë gjërat se çfarë kanë bërë më përpara. Për mua është hapur një kapitull i ri që do të mundohemi të realizojmë objektivat e skuadrës.
Problemet më të mëdha të Kukësit- Në qoftë se unë do të flas për aspketin fizik të skuadrës, do të thotë që unë të merrem me trajnerin, të cilin e kam mik shumë, Skënder Gegën. Nuk ka asnjë lloj problem fizik. Skuadra duhet të ngrihet psikologjikisht aty ku duhet. Nuk është se këto gjëra nuk do të më ndodhnin mua, në qoftë se unë nuk do të isha trajner që në fillim i një skuadre. Unë kam për detyrë që punën që ka bërë Gega ta vazhdoj me idetë e mija.
Pikët dhe formati i skuadrës- Paralelisht bëhen të gjitha. Do një lloj orientimi taktik. Më mirë mund të themi orientim strategjik siç e kërkoj unë. Lojtarët të mundohen të thithin atë që kam bërë unë në stërvitje.
Afrimi i mbrojtësit boshnjak- Të gjitha skuadrat janë në riformim e sipër. Lojtarin e kam gjetur këtu, nuk e kam parë në fushën e lojës. Rendimenti i tij varet çfarë ka bërë më përpara. Nuk ka luajtur, por thonë fizikisht është mirë. Duke biseduar edhe me njerëzit që kanë qenë këtu, Hallaçin dhe preparatorin atletik Irisin, atëherë do të vendosim në çfarë gjendje është lojtari. Çdo gjë varet nga ndeshja. Do të shikojmë. Ka ardhur edhe një mbrojtës i djathtë. Ai është pak mbrapa fizikisht. Do të shohim sa do të përdoret.
Pozitat e Skënderbeut- Keq nuk më vjen. Është normale që një skuadër me gjithë ato lëvizje, me gjithë ato probleme, gjatë këtyre viteve të ketë këtë gjendje. Mua më ka surprizuar Skënderbeu në disa ndeshje. Ka marrë atë që ka kërkuar, sidomos jashtë fushe. Ka pasur probleme brenda.
Kjo nuk do të thotë që nesër të paraqitet njësoj siç është paraqitur në ndeshjet e tjera në stadiumin “Skënderbeu”. Pres nesër një mobilizim total nga Skënderbeu, çdo lojtar do të japë maksimumin për të treguar vlerën. Nuk ka futboll po nuk respektove kundërshtarët dhe punën tënde.
Titulli kampion- Në intervistat që unë kam bërë në media, kam thënë që do të jetë i çmendur ai që do të thotë se Vllaznia nuk ka përparësi për kampionatin, sepse normalisht që edhe skuadrat që e ndjekin. Qoftë Kukësi, Partizani apo Teuta, janë skuadra që bëjnë mirë si dhe kanë pasur momentet e tyre negative.
Duhet që Vllaznia të humbin shumë dhe skuadrat e tjera t’i fitojnë të gjitha ndeshjet. Nuk jam absolutisht me deklaratën e Shpëtim Duros, për mua Vllaznia ka një prioritet 60-70 %, sepse është përpara në pikë. Në qoftë se ne e mendojmë kështu, nuk do të respektojmë kundërshtarët. Duhet të shohim njëherë çfarë do të bëjmë për veten tonë, pastaj të flasim për skuadrat e tjera”, përfundoi Josa. /PanoramaSport/