Gjashtë muaj pas mbylljes së Maturës Shtetërore, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka analizuar arritjet e nxënësve, të cilat i ka përmbledhur në një raport. Dokumenti, i cili prej më shumë se një muaji “fle” në Ministrinë e Arsimit duke iu shmangur publikimit në faqen zyrtare, ka rrjedhur përmes drejtorive të shkollave që e kanë shpërndarë me mburrje në rrjetet sociale. Në tabelën përbri është renditja finale e të gjitha gjimnazeve në vend, duke filluar nga ai me rezultate më të larta.
Edhe pse mbahen me nam, listën e shkollave më të mira nuk e kryeson asnjë prej gjimnazeve të kryeqytetit, por “Ali Demi” në Vlorë, e ndjekur nga një tjetër shkollë në një qytet bregdetar, “Hafiz Ali Podgorica”, Durrës. Treshja “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” e “Petro Nini Luarasi” përmbyllin pesëshen me rezultatet më të larta të nxënësve për vitin që lamë pas (2020-ën).
Lista vazhdon me gjimnazet e Elbasanit, Tropojës, Lushnjës dhe Kukësit, me mesatare mbi 8.4. Pyetja që lind është: si u arrit në këtë përfundim? Përbri emrit të shkollës pasqyrohet nota mesatare e përllogaritur sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Ajo s’është tjetër veçse shumatore e mesatareve të çdo maturanti, përllogaritur në bazë të notës mesatare të viteve të gjimnazit dhe rezultateve të provimeve të Maturës Shtetërore.
Nëse e krahasojmë tabelën me atë të Maturës Shtetërore të 2019-ës, nuk është se gjenden surpriza. Në krye të rankimit janë thuajse të njëjtat gjimnaze që çdo vit u kanë dhuruar nxënës të përgatitur universiteteve. Ajo që vihet re është zbritja nga piedestali i gjimnazeve kryeqytetase. Përveç “Qemal Stafës” së ngjitur katër vende më lart, të gjitha të tjerat kanë pësuar firo të mesatares së nxënësve cilësorë. “Sami Frashëri”, që kryesonte listën, zbret në vendin e tretë.
Nga 383 gjimnaze publike dhe 112 private, pjesa dërrmuese e të cilëve sot janë studentë, përmbyllën një vit shkollor të vështirë e provime aspak të zakonta. Pandemia detyroi jo vetëm protokolle të reja e të rrepta administrimi, por edhe ndryshim të skemës së provimit. Testi ishte i gjithi me alternativa dhe u zhvillua në një hark më të shkurtër
kohor. Ende nuk ka asgjë të vendosur, por nëse ritmet e infektimeve vijojnë në këto përmasa, gjasat që skenari të përsëritet janë të mëdha.
Emri i shkollës / Qyteti / Nota mesatare
1.“Ali Demi” Vlorë 8.82
2.“Hafiz Ali Podgorica” Durrës 8.81
3.“Sami Frashëri” Tiranë 8.76
4.“Qemal Stafa” Tiranë 8.69
5.“Petro Nini Luarasi” Tiranë 8.67
6.“Dhaskal Todri” Elbasan 8.65
7.“Murat Paci” Tropojë 8.58
8.“Ismail Qemali” Tiranë 8.53
9.“Pali Dani” Lushnje 8.40
10.“Havzi Nela” Kukës 8.39
11.“18 tetori” Lushnje 8.38
12.“Frymë dashurie” Delvinë 8.37
13.Shkolla koreografike Tiranë 8.36
14.“28 nëntori” Shkodër 8.36
15.“Asim Zeneli” Gjirokastër 8.33
16.“Raqi Qirinxi” Korçë 8.33
17.“Ormen Selami” Tepelenë 8.32
18.“Shefqet Guzi” Gramsh 8.29
19.“Zihni Magani” Peqin 8.26
20.“Babë dudë Karbunara” Berat 8.26
21.“K. Kristoforidhi” Elbasan 8.25
22.“Skënderbeu” Has 8.23
23.“Naim Frashëri” Durrës 8.21
24.“Gjergj Kastrioti” Durrës 8.21
25.“Muhamed Kondi” Skrapar 8.19
26.“Aleksandër Moisiu” Kavajë 8.18
27.“Hamdi Rrapi” Selenicë 8.17
28.“At Shtjefën Gjeçovi” Kurbin 8.16
29.“Asim Vokshi” Tropojë 8.14
30.“M.K.Ataturk” Peqin 8.10