Eldorian Hamiti do të jetë nesër gjyqtar kryesor në ndeshje Partizani – Vllaznia. Sipas nesport.al, arbitri i kolegjiumit të Lezhës, njëkohësisht mbajtës i stemës së FIFA-s do të jetë ai që do të vendosë drejtësi në këtë kryesfidë të javës së 17-të të Superiores.
Takimi është vlerësuar maksimalisht dhe kësisoj Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka caktuar 6 gjyqtarë. Asistentë të Hamitit do të jenë Ridigert Çokaj dhe Emigers Ganxhi.
Pas portash do të jenë Enea Jorgji, i cili ishte kryesor para dy javësh në derbi mes Partizanit e Tiranës (1-0) dhe Bastari. Ndërsa i katërt është caktuar Arbër Zallaj.
Kujtojmë që ndeshja Partizani – Vllaznia do të luhet në orën 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena”. Të kuqtë vijnë në këtë sfidë pas barazimit 1-1 në transfertë kundër Teutës. Ndërsa shkodranët u ndalën pa gola në shtëpi ndaj Kastriotit. Vllaznia gjendet në vendin e parë në tabelën e klasifikimit me 36 pikë, ndërsa Partizani ndjekës me 9 pikë më pak.