Nga Mark RUPA
Fotot dhe videot e fundit që vijnë nga jeta e njerëzve në malet tona janë rrënqethëse, pikëlluese deri në pika loti. Fëmijë në klasa fillore bëjnë mesatarisht dy orë rrugë në ditë, kalojnë përrenj pa ura, shpate të pjerrta me baltë, ngushtica pranë greminave dhe kur mbërrijnë në orën 08.00 shohin që shkolla është e mbyllur.
Në kohë pandemie qendra shendetësore është e mbyllur. Të lindësh një femijë duhet patjetër ti bëhesh barrë dikujt në qytet, të paktën një muaj përpara deri sa të vijë dita e lindjes, ose të rrezikosh një lindje në kushte të barabarta me botën e egër ose nën këshillat e gjysheve që kishin dikur të njejtin fat.
Nëse një dele, dhi, derr apo lopë sëmuret fëmijet qajnë nga dashuria ndërsa prindërit nuk vëjnë sy në gjumë sepse aty varet buka e gojës dhe ekonomia e familjes. Sherbimi veteriner është harruar në ato zona, ka dalë nga fjalori i përditshëm.
Telat bashkë me shtyllat e elektrifikimit këputen me dëborën e parë dhe riparimi ndoshta vjen diku në pranverë. E njëjta gjë ndodh me infrastrukturën rrugore, ndërsa aktiviteti RIPARIM është harruar, bashkë me to dhe ekipet e punës rruga- ura.
Si janë treguesit e mirëqënies; të rritjes ekonomike, të edukimit, shendetësisë, sigurisë, aksesit në teknologji, shkalla e lumturisë për banorët e zonës së Dukagjinit? Sa % e subvencioneve shtetërore shkojne atje? Sa % e buxheteve lokale dhe rajonale? Sa % e financimeve të EU përthithen nga ai territor dhe sa larg janë me fshatrat e tjerë të BE-së?
Në vitet ’90 në Dukagjin jetonin mbi 20 000 banorë ku vetëm Shala kishte rreth 9000. Sot në Shalë numërohen jo më shumë se 40 familje që jetojnë 12 muaj atje.
Turistët apo agjensitë turistike ndërkombëtare i shohin kullotat, pyjet dhe malet e Dukagjinit si atraksione magjepsëse dhe shumë të vecçanta. Dukagjinasi i sheh akoma si burim mbijetese.
Pse kjo braktisje, pse ky varfërim?
Ndoshta sepse Dukagjini është pasqyra e mendimit tonë qytetar, pasqyra e pushtetit lokal në Shqipëri, pasqyra e qeverisjes qendrore në Tiranë.
Është pasqyra e çdo individi dhe çdo “ patrioti” bashkë me përpjekjet tona të mbara e të mbrapshta komunitare. Dukagjini është ajo që ne kemi arritur si shoqëri moderne.