Vllaznia ka zhvilluar sot në Shkodër stërvitjen e fundit para ndeshjes së rëndësishme të së dielës në Elbasan me Partizanin. Klubi shkodran ka shpërndarë një video, ku konstatohet lehtë se atmosfera është mjaft optimiste. Madje, në disa raste ka edhe humor e të qeshura.
Po ashtu, vihet re edhe serioziteti në stërvitje, ku lojtarëve u kërkohet të veprohet më shpejt në ushtrimet që duhet të realizojnë. Ndeshja me Partizanin është mjaft e rëndësishme, duke patur parasysh se bashkë me Teutën janë ndjekësit më të afërt të kryesuesve të Vllaznisë. Nga sa kuptohet, edhe ngarkesa në stërvitje nuk ka qenë e lartë, ashtu siç ndodh në prag të çdo ndeshje.
Në konferencën për shtyp trajneri Brdariç u tregua mjaft i ekulibruar, ndërsa sulmuesi Haris Dilaver që prej 8 javësh nuk shënon, premtoi se do të kthehen me tre pikë nga Elbasani. Vigjilja e kësaj ndeshje, duke gjykuar nga videot, duket premtuese dhe shpresohet në një rezultat pozitiv ndaj Partizanit.