Trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në barazimin 0-0 ndaj Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Sipas teknikut kryeqytetas ekipi i tij e fitoi ndeshjen, pavarësisht se topi u ndal nga balta shumë pranë vijës fatale. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, Daja u shpreh:
Kartonët e kuq- Kemi bërë volum loje. Kemi qenë agresivë në tranzicione. Duhet të kishim bërë më mirë në 1/3 e kundërshtarit. Edhe në momentin e fundit ku të gjithë po gëzonim, topi ngeli në vijë fatale. Arbitrat e FIFA-s që mund ta menaxhojnë më mirë lojën. Partizani nuk është ekip agresiv.
Kërkojmë te lojtarët ta shtojnë dozën e agresivitetit. Partizani që ka më shumë fair-play ka më shumë kartona. Do të doja ta shikoja që të dimë të sillemi me lojtarët tonë për të ndihmuar arbitrat. Mund të shkonte deri te kartoni i verdhë. Kemi parë situata më të rënduara se sa kjo. U shpërndamë sepse pjesa e menaxhimit nuk ndihmoi Vllazninë dhe dëmtoi Partizanin.
Ndeshja- Besoj se sot me Vllazninë e fituam ndeshjen. Ngeli topi në vijën fatale. Edhe në Shkodër morëm gol nga goditja standarte në të 87-tën. Deri sa jemi në vendin e dytë, kemi bërë më mirë se ekipet poshtë, pavarësisht se në ndeshjet direkte nuk kemi bërë aq mirë ndaj tij.
Largimi i Solomonit? Nuk e kemi përgatitur javën me Solomonin. Kishim marrë vendimin edhe me aprovimin e tij që do të largohej. E kemi përgatitur që në fillim javën me Çinarin. E përshëndes Solomonin për gjestin njerëzor që erdhi na takoi në hotel edhe pse e kishte mbyllur me Partizanin dhe e falenderoj për atë çfarë ka dhënë.
E rivalizoni dot Partizani Vllazninë? Për deri sa sot pothuajse të gjithë pjesën e dytë e kemi mbajtur Vllazninë në gjysmëfushën e vetë, shpresojmë ta rivalizojmë. Janë edhe 2 faza të tjera, janë shumë pikë në lojës. Të fitojmë ndeshjet e më pas të shikojmë çfarë mund të bëjë Vllaznia. Jemi në vend të dytë, këtë pozicion e kemi mbajtur thuajse që na fillimi.
Goditjet ballore drejt portës- Mungojnë, është e drejtë. Sot kemi pasur Çinarin qendërsulmues, edhe pse ai është sulmues krahu. Kishim momente që mund të shkonim në goditje ballore, por zgjodhi Çinari që në disa momente të shërbente për shokët. Mënyrën e lojës e kishim ndërtuar nga krahut, për shkak edhe të mënyrës së lojës së Vllaznisë. Aty Vllaznia kishte më pak lojtarë. Këtë manovër kishim zgjedhur.
Mungesa e pykës në sulm- Bardhi, Mala, Çinari, Asani, Melo, shto edhe Carën janë lojtarë sulmues. Kanë pak vonesa në shpejtësinë e aksioneve, nuk janë mesfushorë të mirfilltë. Kemi kërkuar qendërsulmues por nuk kemi gjetur. Kemi Hasanin që mund të na shërbejë ose si 9 falso ose si 10. Kemi edhe Kardozon dhe Zhuniorin që mund t’i përdorim. Me këto alternativa që kemi do të mundohemi ta zëvendësojmë qendërsulmuesin shtatlartë”, u shpreh Ilir Daja.