Siç njoftoi ShkodraWeb Media, në lagjen “Sarreq” të Shkodrës, forcat e policisë kanë vënë në pranga një person. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, kanë qenë forca “Shqiponja” ato që kanë bërë arrestimin. Ndërkohë, mësohet se personi i arrestuar është Ylli Ceka, ish- efektiv i FNSH, i dënuar me 11 vite burg për vrasje. ShkodraWeb Media ka siguruar foton e personit të arrestuar, i cili kërkohej nga policia dhe u kap nga “Shqiponjat” e Shkodrës.
Arrestimi i tij është bërë pas marrjes së informacionit nga ana e efektivëve “Shqiponja” të Shkodrës rreth vendndodhjes së tij. Ylli Ceka ka qene në një lokal në lagjen “Serreq” të Shkodrës dhe në momentin kur sapo ka dalë nga lokali është arrestuar nga policia. Me vete mbante edhe distinktivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ylli Ceka në vitin 2010 pas një zënke ku kane marrë pjesë edhe vëllezërit e tij, ka shtënë me armë zjarri ku për pasojë plumbat i morën jetën Edvin Voglit.
Pritet që Policia e Shkodrës të dalë me komunikatë zyrtare, por paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për një person të shpallur në kërkim, i dënuar për një ngjarje të rëndë.