Që prej disa ditësh kur përgenjeshtrova publikisht me fakte, gënjeshtrat e fjalës së hapjes së sezonit të TKOB- Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nga drejtorja aktuale, zonja në fjale nuk ka rreshtur se dhëni intervista në disa media vizive, plot katër të tilla, duke folur fjalë të përgjithshme pa statistika e shifra konkrete e duke vazhduar në mënyrë insistuese të përsërisë të njëjtat pallavra.
Abuzuesit me pushtetin e dhënë në mirëbesim, kanë një zakon, sa herë që atakohen me fakte, vrapojnë të kërkojnë mbështetje në media dhe bëjnë vetëm monolog, ato nuk marrin pjesë kërkund aty ku ka dialog dhe përplasje të vërtetash. Kështu bën edhe sulltanesha e tanishme e TKOB- së. Korrupsioni i lartë në vendin tonë ka dy aleatë të sigurt, që janë mediat e gjykatat e korruptuara.
Por le të kthehemi tek intervista e djeshme në mikrofonin e News24, ku sulltanesha e TKOB- së përsëriti njësoj të njëjtat gënjeshtra bajate se ajo na paska zbuluar e punësuar në TKOB 102 të rinj,
në të gjithë sektorët e teatrit e të tjera tallavara si këto.
Sulltaneshes i themi se në korin e TKOB- së janë punësuar këto katër vite vetëm tre artistë të rinj, 2 tenorë dhe 1 soprano, tek solistët janë punësuar tre soprano, dy base, në orkestër janë punësuar 4 apo 5 instrumentistë që kanë zënë vendet e atyre që kanë dalë në pension. Gjithashtu në teknikë janë punesuar dy apo tre vete, ndërsa në administratë është bërë kërdia me largimet nga puna.
Në administratën e re të TKOB- së janë larguar deri tani të gjitha drejtoret ekonomike- plot 4, të gjithë drejtorët e produksionit- plot 4, të gjitha drejtorët e marketingut- plot 4, të gjitha juristet,- plot 3. Edhe nga trupat artistike janë larguar shumë artistë e numri i të gjithë të larguarve nga TKOB- ja këto 4 vite i kalon të 40 vetët. Pra ka ndodhur kërdia. Boll të përmendim se të gjitha gazetaret e punësuara në zyrën e marketingut janë larguar vetëm pas pak muajve pune.
Dje ajo përsëriti të njëjtat budallalleqe, se është menaxhere prej 30 vjetësh, kur nuk ka shkollë menaxhimi dhe as kulturën profesionale operistike, që e kanë kudo në botë drejtorët e operave. Përsëriti se do kandidojë përsëri për një mandat të dytë, se na paska plotësuar të gjitha premtimet. Patjeter që i ka plotësuar 100% të gjitha pikat për shkatërrimin e TKOB- së, nga teatër kombëtar opere, në tallava agjensi private spektaklesh në piaca e rrethe, ku sponsorët na vendoskan se çfarë lloj gjinishë do të përformojë TKOB-ja i të ardhmes.
Qeveria urgjent, këtë të lajthitur nga trutë, duhet ta largojë për dëmet e tmerrshme që i ka bërë teatrit, e të sjelle një intendant teatrosh të huaj, me eksperiencë të madhe në administrimin e operave ndërkombëtare, siç ka bërë me Kombëtaren e futbollit. Kovidi thonë se të lë me probleme në tru dhe kjo lexohesh tek- tuk në intervistën e sulltaneshës së TKOB- së që sapo e ka kaluar kovidin. /Nga Nikolin GURAKUQI, punonjës i TKOB- së dhe pedagog i UART/