Sfida mes Partizanit dhe Vllaznisë ishte shumë delikate për të dyja skuadrat. Episode dhe raste pati në fushën e lojës, por po ashtu edhe jashtë saj. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet nga takimi kryesor i javës së 17-të në Superiore.
– Para ndeshjes, pranë stadiumit “Elbasan Arena”, grupimi ultras i Vllaznisë “Poëer 12” këndoi këngë në mbështetje të skuadrës. Më pas, drejtohen te tarraca e pallatit ku më parë qëndronin ultrasit e kuq dhe vendosin banerin e tyre identifikues. Mirëpo, nuk kalojnë pak minuta dhe detyrohen të zbresin nga aty. Më fatlumët u futën në një banesë në katin e tretë dhe e panë ndeshjen nga aty. Në fund, ka festë për këtë barazim, duke sfiduar edhe shiun.
– Sapo hyn në stadium, të jepet përshtypja që po luhet sfida Kukësi-Bylisi. Pikërisht atë rezultat shënonte tabela, së cilës nuk i ishte bërë ende “përditësim” për sfidën Partizani-Vllaznia. Çështje minutash dhe gjithçka rregullohet.
– Duke marrë shkas nga trazirat e derbit në Elbasan, policia kishte marrë masa më të ashpra për këtë ndeshje, që nga hyrja në stadium dhe deri te ndjekja e itinerarit se ku do të shkonin tifozët ultras. – Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, gjatë kohës që skuadrat po bënin nxehmjen, qëndroi pranë Luan Pinarit, me sa duket po kujtonin kohët e vjetra kur kanë qenë futbollistë. Biseda po kryhej jo në pankinën e Vllaznisë, po në atë të Partizanit.
– Tribuna e stadiumit ishte sërish mbi kapacitetin e lejuar, por nuk mungoi as prania e fëmijëve shkodranë. Një grup i tyre nuk ngurruan të pozonin me shenjën e dy gishtave, simbolin e Partisë Demokratike.
– Për të sfiduar temperaturat e ftohta, fëmijët që kapin topat pas porte, dhurojnë “shoë” me xhonglimet e tyre. Në fakt, janë ata futbollistët e ardhshëm, pasi luajnë nëpër ekipet e tyre të moshave.
– Gjatë momentit që presidenti i Partizanit, Gaz Demi, po ngjitej për në tribunë, e përshkoi këtë rrugë me ishkapitenin e të kuqve, Dorian Bylykbashi, duke zhvilluar një bisedë midis tyre.
– Tekniku i shkodranëve, Brdariç, shkon të përqafohet përzemërsisht me kolegun e tij të Partizanit, Ilir Dajën. – Pak pasi fillon ndeshja dhe shiu njëkohësisht, Daja vesh një xhup të hollë mbi xhupin që kishte, për t’u mbrojtur nga shiu.
– Tomas Brdariç e ka shprehur që e urren shiun dhe shpesh mban çadër gjatë ndeshjes. Mirëpo, mbrëmjen e djeshme preferoi që të mbante kapuçin e xhupit si mbrojtëse në pjesën e parë. Në të dytën vendosi një kapuç të thjeshtë.
– Ardit Hoxhaj xhindoset me shokun e tij të skuadrës, Demir Imeri, në rastin e minutës së shtatë, ku nuk pasoi për tek ai në një rast flagrant. Mundohet ta qetësojë Marku, por Hoxhajt nuk i del kollaj inati.
– Në minutën e 14-të, pati një ndërhyrje të Melos ndaj Gurishtës dhe mbetën të dy të dëmtuar. Daja përfiton nga situata dhe afrohet pranë, ku gjendej kryesori Hamiti dhe i kërkon llogari për disa pakënaqësi për vendimet e tij.
– Brenda një minute, Gurishta “hakmerret” ndaj Melos për ndërhyrjen që lojtari i kuq i kishte bërë pak më parë.
– Pasi Hamiti nxori me të kuq Bitrin dhe Krymin, të dy iu drejtuan dhomave të zhveshjes. Por, për të shmangur ndonjë përplasje midis të dyve, delegati Marjus Sulejmani ndaloi Bitrin. Kërkoi shoqërimin e tyre me stjuardë brenda dhomave të zhveshjes.
– Në një moment, si Brdariç, ashtu dhe Plori, po jepnin udhëzimet së bashku, me shkodranin që i shkel pa dashje këmbën. Në moment vjen ndjesa e tij dhe përqafohen së bashku, me Brdariçin që fërkon njëkohësisht këmbën nga dhimbja. /Nga Vladimir MEMA/