Pendesë, habi dhe keqardhje. Ardit Krymi shpjegon për “Panorama Sport” se çfarë ndodhi brenda zonës së rreptësisë me Bitrin e Partizanit. Dy kartonë të kuq për secilin, dhe mesfushori kuqeblu shpjegon për gazetën atë moment në zonë, por edhe se çfarë ndodhi më pas. Krymi flet për ecurinë e skuadrës, barazimin ndaj Partizanit si dhe për sfidën e radhës në të cilën do të mungojë prej të kuqit.
Krymi, sa i rëndësishëm ishte për ju barazimi ndaj Partizanit?
Barazimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. Kjo pasi i mbajmë ekipet ndjekëse me të njëjtën distancë. Mendoj se ishte e rëndësishme edhe një pikë për ekipin tonë, duke vlerësuar faktin që nuk i dhamë terren një skuadre që na ndjek.
Si e përjetuat faktin që e latë ekipin me 10 lojtarë?
Të them të drejtën e vuajta pak këtë gjë. Megjithatë, këto gjëra ndodhin në futboll. Për këtë, u kërkova falje të gjithëve në dhoma.
Çfarë ndodhi mes jush dhe Bitrit?
Thjesht ngacmim brenda zonës. Diçka që ndodh në futboll dhe u habita me vendimin që u mor. Ne patëm një kapje brenda zonës. Kaq ishte. Asgjë më shumë. Me Bitrin fola edhe pas ndeshjes dhe u sqaruam.
Përballë do të jetë Laçi. Keqardhje që nuk do të jeni pjesë e ekipit?
Mendoj se ekipi do të mbajë edhe në vazhdimësi këtë ritëm. Ne do të japim maksimumin si gjithmonë. Më vjen keq që nuk do të jem me ekipin, pasi që në fillim të kampionatit kam qenë me ta. Kam besim te grupi që do të fitojë në takimin e radhës.
Sa besoni se mund t’ia dalë Vllaznia që të fitojë në Laç?
Besoj sepse ne si ekip futemi në fushë në çdo takim vetëm për 3 pikë. Edhe të njëjtën gjë do të kërkojmë edhe ndaj Laçit.
Pas barazimit ndaj Partizanit ndjekës, sa janë rritur shanset për titull?
Janë edhe 2 faza kampionat, pra janë akoma edhe shumë pikë në lojë. Por duke bërë maksimumin të gjithë së bashku, siç edhe kemi bërë deri tani, kam besim se jemi në rrugën e mbarë për titull.