Ndërsa fushata elektorale edhe pse jo zyrtarisht ka startuar, emrat e kandidatëve të mundshëm për listën e Shkodrës akoma janë “në ajër”. Ajo që duket se ka sjellë një farë peshtjellimi, është fushata e vetofrimit të kandidatëve përmes aplikimit në platformën “Deputeti që duam”. Edhe pse më shumë duket një gjetje në kuadër të propagandës, PS mendon se përmes vetofrimit, mund të gjenden disa emra të përshtatshëm, duke verifikuar fillimisht impaktin që mund të kenë në publikun e gjërë.
Pavarësisht kësaj, një gjë është e sigurtë: Nga deputetët aktualë të PS- së Shkodër, thuajse asnjëri nuk e ka të sigurtë kandidimin. Edhe pse përcaktimi i emrave është ekskluzivitet i kryeministrit Edi Rama, qarkullojnë informacione që i vetmi i sigurtë në listën e 25 prillit, është drejtuesi politik i Qarkut Ilir Beqaj. Mund të jetë pjesë e listës edhe Paulin Sterkaj, si përfaqësues i M.Madhe, por burime pranë selisë rozë, thonë se ndoshta mund të tërhiqet për arsye personale.
Drejtuesi politik i fushatës së 2017- ës Ditmir Bushati, nuk do të jetë pjesë e listës së Shkodrës. Madje, edhe në listat e qarqeve të tjera, vështirë të gjejë hapësirë në renditje fituese. Ish- zëvendëskryeministrja Senida Mesi dhe deputeti Luan Harusha, pretendojnë të jenë përsëri në listën e kandidatëve, por fillimisht kryeministri Rama po merr informacione nga burime të kryqëzuara për mbështetjen që gëzojnë në strukturat socialiste dhe në komunitet.
Sa i përket pjesës së listës, asaj që konsiderohet gjinia femërore, duket se prefektja Majlinda Angoni është e preferuar për kandidate nga hierarkia e PS- së në qendër. Megjithatë, konkurrenca paraqitet mjaft e fortë, aq më shumë kur diskutohen edhe emra të tjerë, si ai i kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër Brisela Kadia por edhe disa zonja të tjera në këtë grup por edhe në institucione të tjera. Një emër i lakuar, është edhe ai i Megi Ajtyresa, koordinatore për PS Bashkia Shkodër.
Të gjithë ata që aspirojnë për përfshirje në listën e PS- së në Shkodër, “luftën” e kanë për 4 vendet e para të listës, që konsiderohet nisur nga zgjedhjet e 2017- ës, si të sigurta. Poshtë këtij numri, lista nuk do të ketë probleme. Aq më shumë kur, nëse PS fiton zgjedhjet, nga ato emra përzgjidhen drejtorët e drejtorive rajonale. Ajo që ndoshta është 100% e sigurtë, ështe se lista e kandidatëve të Shkodrës, nuk do të jetë në fokusin kryesor të përqendimit të kryeministrit Rama. /ShkodraWeb Media/