Ka shpëtuar mrekullisht manovratori i një fadrome që kishte shkuar të hapte rugën e Vermoshit. Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, tregon momentin kur një ortek bore rrëshqet nga mali dhe bie mbi fadromën. Mësohet se ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, rreth orës 14.30.
Fadroma e manovruar nga Gëzim Lumaj, po përpiqte të hapte rrugën Vermosh- Budaç, ndërsa është shkëputur masivi i borës. Fadromisti ka rrezikuar seriozisht jetën në vendin e quajtur “Shkami i Shaljanëve”. Fatmirësisht, Lumaj nuk ka pësuar dëmtime fizike. Prej ditësh, mjetet e rënda po punojnë për hapjen e rrugës së Vermoshit, e cila bllokohet sërish nga reshjet e borës ose orteqet.