Nga Ylli MANJANI
Arsyetimi që nuk po shkoj në zgjedhje se smë pëlqen qeveria, apo s’më bind opozita është justifikim, jo llogjikë. Kjo shkon fiks për shtat me shprehjen “hapi rrugën budallait”. Shprehje e poshtër kjo që na e kanë mësuar që në vegjëli.
Ti i hap rrugën budallait dhe, ky i fundit, duke e patur rrugën e lirë del në krye. Pastaj të gjithë bëhen pishman përse i hapën rrugë, por është vonë… shumë vonë…
Ndaj them që ska llogjikë mospjesmarrja në zgjedhje. Ska llogjike sepse i hapet rruga budallait/budallenjve. E kuptoj të gjithë pakënaqësinë me politikën e partitë. Është pakënaqësi LEGJITIME. Por nuk është e drejtë të lejohet që zgjedhjet të reduktohen në numra votash militantësh. As garë kuajsh ku ndeshen tifozët në baste.
Shoqëria militante prodhon pushtet militant. Pushteti militant degjeneron deri në dhunë. Prandaj ka rëndësi pjesmarrja në zgjedhje e shoqërisë jo militante. Pavarësisht se kë zgjedh kjo e fundit, është e rëndësishme të zgjedhë. Asnjë votë nuk shkon dëm. Minimalisht zbut efektet e pushtetit militant. Dhe nuk është pak.
Vendi, jo partitë, ka nevojë për rotacion. Edhe sikur të largojë ujin e ndenjur që është qelbur dhe të zëvendësohet me një ujë tjetër të ndenjur, prap është më mirë. Të paktën për ca kohë, deri sa të qelbet uji i ri është më mirë.
Rotacioni është më i mirë sesa stanjacioni. Rotacioni sjell mundësinë për ndryshim. Stanjacioni sjell vetëm degradim. Nuk na pëlqen Luli?!
As mua. Politika kështu është do zgjedhësh dikë. Ose kërko të zgjidhesh vetë.
Por shprehja “nuk më pëlqen”, nuk është arsye që të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe të mos kontribuoj në rotacionin politik. Llogjika është e thejshtë. Nuk më pëlqen asnjë udhëheqës, por më mirë ti ndryshojmë pak më shpesh sesa ti lëmë të vdesin në pushtet nga frika se kush do vijë.
E provuam me Enverin këtë llogjikë. Duhet ta provojmë prap?!
Pra le të vijë Luli. Dhe pas Lulit të vijë tjetri. Pas tjetrit, një tjetër. Sa më shpesh të ndodhë kjo më mirë për ne të gjithë. Prandaj duhet votuar dhe duhet ndryshuar fytyra që qeveris, me shpresë se duke ndryshuar sa më shumë fytyra diçka do ndryshojë për mirë.
Por po nuk ndryshoi emri, fytyra, personi, partia që qeveris nuk ka asnjë shanc të ndryshojë më asgjë. Vetëm më keq bëhet. Nuk ka më asnjë kuptim ngushëllimi pas zgjedhor se ishte faji i Lulit, Saliut apo i Ilirit. Faji për mos ndryshim mbetet i mospjesmarrjes dhe i refuzimit të idesë së rotacionit.