Nga Blerti DELIJA
Fatos Nano do të rikthehet në një intervistë të gjatë në një nga to që quhen “salone luksi” në mediat shqiptare. Ish- kryeministri do të jetë përballë Blendi Fevziut në “Opinion” të enjten e 4 shkurtit 2021.
Nuk mbahen mend dalja e fundit e Nanos në një intervistë të gjatë, ndërsa me 4 shkurt ai do të flasë për jetën e tij, bën me dije një spot reklamimi i emisionit.
I ikur zyrtarisht nga politika në 2009- ën, “çelësat” e PS- së dhe të karrierës i dorëzoi që në 2005- ën, kur u pasua në detyrë nga rivali i tij i përjetshëm në politikë, Sali Berisha.
Daljet publike por edhe të tjerat të Fatos Nanos, përbëjnë lajm. Sepse daljet e tij në studio televizive, kanë ndikuar në zhvillimet e këtij vendi. Dalja në krah të Berishës si “autoritet” edhe pse nuk kishte asnjë post apo edhe si “shofer” i Ilir Metës, sollën efekte të dukshme e të padukshme në zhvillimet politike të periudhave respektive.
Kjo dalje, rreth 2 muaj e gjysmë para zgjedhjeve të 25 prillit, mbart apo fsheh mjaft mistere. Natyrisht, edhe pak orë dhe çdo gjë do të shpërfaqet por analiza e parë e kësaj interviste të gjatë, bazuar edhe në eksperiencat e kaluara, nuk përjashtohet të ketë ndikime edhe në ecurinë e 25 prillit.
I vendosur prej shumë vitesh familjarisht në Vjenë të Austrisë, Nano ka ardhur shpesh në Shqipëri, edhe pse ka preferuar të mbajë një nivel të ulët publik. Jo radhë këto vizita, janë komentuar edhe si “ture” për të siguruar të ardhura personale, në këmbim të mbështetjes direkte apo indirekte, brenda krahut të majtë apo edhe në fushën e gjërë të “tabelës së shahut” të politikës shqiptare.
Fatos Nano duket se ka hequr dorë nga ambicjet politike, teksa dëshoti të paktën dy herë në realizimin e ëndrrës për president, i vetmi post i dëshiruar dhe i paarritur. A do të shfaqë sërish ëndrrën e tij për president Fatos Nano? Në varësi të saj, mund të analizohet edhe qasja e tij politike në kuadër të 25 prillit.
Me një peshë specifike më të zbehtë, tek e majta, veçanërisht tek PS-ja, Nano vijon të ketë simpatizantë, ithtarë e madje adhurues. Kalimi i viteve jashtë familjes së tij politike, nuk i ke zeruar ndikimin, madje si “personazh”, edhe në krahë të tjerë të politikës. Nëse do të pozicionohet, ai mund të jetë një aset i vlefshëm për Ramën, për të shtrënguar radhët, tashmë që është i vetëm në prag të zgjedhjeve parlamentare. Projektimi i tij si kandidat i mundshëm për president në 2022- in pas Metës, vendosja e tij si kandidat në listën e PS- së me 25 prill, do ti sillte bonuse Edi Ramës.
Por mund të ketë edhe një “skenar” tjetër. Rama dhe Nano, asnjëherë nuk kanë patur marrëdhënie dashurie mes tyre. Antipatia reciproke deri në urrjetje, ka personifikuar marrëdhënien e tyre, të paktën në pjesën publike. Kompromiset e dukshme apo të fshehta, kanë qenë në kuadër të përfitimeve reciproke, qoftë edhe të përkohëshme, nga 1998- a kur e solli “me thonj të paprerë” nga Parisi, e deri javët e fundit kur Rama e risolli në vëmendje pararadhësin e tij në krye të PS- së.
Sot, Edi Rama ka nevojë më shumë se asnjëherë për Fatos Nanon. PS-ja e transformuar në Rilindje nga 2013- a, ka krijuar jo pak pakënaqësi në këtë parti saqë as “komandanti” Gramoz Ruçi, nuk mund ti sheshojë.
Por mekanizmin e “pushtetit moral” brenda PS- së, Fatos Nano mund ta përdorë edhe në disfavor të Edi Ramës. Atëherë, do të ishte “goditja fatale” politike për ëndrrën e mandatit të tretë radhazi për Edi Ramën.
Zaret janë hedhur tashmë. Shumë dilema, në vetë të parë, me gojën e tij, Fatos Nano do ti rrëfejë në “Opinion”. E sigurtë është se nuk do të flasë për jetën e tij. Në kuptimin privat. Do të flasë për jetën e tij, ku vazhdojnë të jenë të përfshirë Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha e të tjerë. Do të përcjellë kumte, të cilat për vetë “stilin” e Nanos, do të jetë e vështirë të deshifrohen. Përveçse, nëse ka ndodhur ndonjë ndryshim këto 10 vite pa dalë në media. Sepse dikur thuhej: Nano flet 3 orë, me fjalë “të zorshme” dhe asgjë nuk tha apo nuk u kuptua! Nano rikthehet në “treg” por pavarësisht të gjithave, edhe Blendi Fevziu është një lojtar i politikës…dhe jo pa ndikim.