Nga Pjerin Marku, administrator i NJA Guri i Zi
Z. Sander Lleshaj, marr shkas nga postimi juaj i fundit në Facebook, për këto që do të them më poshtë. Ju erdhët shpesh në Rragam, në kohën kur gëzonit statusin e Ministrit.
Erdhët, kur për të shkuar nga Rragami në Sheldi, bëje një orë rrugë. Sepse duhej të kaloje nëpër një rrugë që vetëm rrugë nuk mund ta quaje. Por ju, as që e morët mundimin të sillnit një investim të vetëm në atë zonë! E sot, sot nuk keni faj që e dashuroni këtë vend, sepse është një nga perlat e Shqipërisë.
Me shumë mundime e sakrifica, ne, sëbashku me banorët e palodhur të asaj zone, arritëm t’i rindërtonim ato rrugë; t’i ofronim zonës shërbimin e pastrimit; të ndriçonim qendrën e fshatit Rragam dhe shumë shpejt edhe atë të Sheldisë.
Ndërsa ju, Z.Lleshaj, çfarë bënit në këmbim?! Ju i arrestonit ata njerëz, pasi në ato pak toka që kishin, për të siguruar bukën e gojës, kultivonin duhan!
Erdhët si turist; aty ku nuk duhej, me sytë mbyllur, por unë sot jam shumë i lumtur, që ne ju kemi hapur sytë, dhe ju ofrojmë për të shijuar këtë natyrë të mrekullueshme, që ka kjo zonë e bekuar!
Ah, edhe diçka!
Z.Lleshaj, mos mendoni që ne harrojmë, që ju keni arrestuar edhe ato pak djem të rinj që i kanë mbetur kësaj zone e që nuk morën rrugën e emigracionit si shumë të tjerë, të cilët po protestonin paqësisht, për një jetë më të mirë. Ju i arrestuat duke iu vrarë edhe ato pak ëndrra që iu kishin mbetur, me shpresën se Shqipëria do të bëhej më mirë një ditë!
E këtë, unë edhe mund të ta fal, por nuk e di a të falin lotët e derdhur mes frikës e trishtimit, të prindërve të tyre…
Prandaj, më mirë se një ftesë për këtë zonë nga ana juaj, do të ishtë ‘një ndjesë’ ndaj kësaj zone! E për të gjitha këto, jo, nuk mund të shfajësohesh me një postim: “Eja në Rragam dhe Sheldi”!
Të gjitha sa thashë më sipër, nuk po ua them si kryetar partie, dhe as si Administrator i kësaj Njësie, por po ua them si një prind i ri, me shpresë e besim se ky vend mund dhe duhet të bëhet! Për të ardhmen e fëmijëve tanë, për ne, për të gjithë shqiptarët!
Faleminderit!
ÇFARË PUBLIKOI NË FACEBOOK ISH- MINISTRI I BRENDSHËM SANDËR LLESHAJ
SHKONI NJË DITË NË RRAGAM E SHELDI
Në Rragam e Sheldi të Shkodrës tani shkohet lehtësisht, pasi prej disa muajsh rruga është shtruar, duke e mundësuar kështu vizitën e një zone shumë të bukur të Shkodrës dhe të Shqipërisë, ku bëhen bashkë natyra magjepsëse, historia e madhe, kultura e zhvilluar dhe, mbi të gjitha, një komunitet krejt i veçantë.
Teksa po udhëtoja sot përgjatë rrugës se re, u befasova shumë kur miku që po më shoqëronte më shpjegoi se banorët e Sheldisë kishin ditën e punës së përbashkët për mirëmbajtjen e rrugës. Vullnetarisht dhe plot përgjegjësi ata punonin për mirëmbajtjen e një rruge që sot konsiderohet e re(!). Megjithatë, ata nuk presin që ajo të dëmtohet për të ndërhyrë më vonë, por i rrinë gati sot që ajo të mos prishet asnjëherë.
Skena të tilla tingëllojnë si të pabesueshme, por sot unë i pashë vetë. Ndalova dhe bisedova me shumë kënaqësi e nderim me ata njerëz, të cilët dinë të ndërtojnë vetë ekzistencën e tyre në mes të një mjedisi të gurtë, ku megjithatë kanë arritur të zhvillojnë një jetë dinjitoze materiale dhe shpirtërore.
Maranaj, Cukali, Shurdhahu, Gajtani, Liqeni i Vaut të Dejës janë vetëm disa elementë të dekorit gjigand, ku është zhvilluar një pjesë e rëndësishme e historisë dhe e kulturës shqiptare. Aty kanë shërbyer edhe martirët e Kishës Katolike Dom Ndre Zadeja, Dom Lazër Shantoja e dom Dom Dedë Maçaj.
Ndoshta edhe këtu mund të jetë shpjegimi se përse banorët e Sheldisë sot hapin vullnetarisht e pa pagesë kanale përgjatë rrugës së sapondërtuar. Ashtu krejt në heshtje, por plot me dinjitet.