As për meritë e as për zgjedhje, Edi Rama është produkt i asaj që në Shqipërinë e para 1990- ës, quhej “Blloku i udhëheqjes” apo shkurt “Blloku”. Në Shqipërinë e diktaturës komuniste, të qënit djali i antarit të Presidumit të Kuvendit Popullor, ishte privilegj i një standarti të lartë, shumë pak më poshtë se antarët e Byrosë Politike të PPSH- së. Kjo zonë e Tiranës, ruhej nga rreth 5000 ushtarë të përzgjedhur, besnikë dhe me biografi të mirë politike.
Edhe nga ajo që vetë ka rrëfyer Edi Rama, ai ka qenë pjesë e një kaste të privilegjuar, qoftë në ciklet e arsimimit por edhe më pas me punësimin. Është fakt se si piktor nuk ka shkëlqyer asnjëherë por u mbajt si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.
Edi Rama dhe vëllai i tij Olsi, ishin basketbollistë të ekipit Dinamo të kohës, i cili zyrtarisht ishte i Ministrisë së Brendshme. Edhe pse nuk spikatën (sidomos Edi, sepse në morinë e basketbollistëve të kohës, Olsi mund të konsiderohej në nivel mesatar), ata ishin pjesë e ekipeve jo vetëm të Dinamos por edhe kombëtareve, duke dalë edhe jashtë shteti në turne.
Në fillim të zhvillimeve demokratike, Edi Rama u shfaq rebel, deri në pikën që ishte gati të “vriste” atin e tij në emër të shfarosjes së komunizmit. Natyrisht, guxim i rrallë sepse kishte nga pas hijen e mbrojtjes së antarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ndërkohë, Olsi, ishte ndër të parët që u përfshi në strukturat e larta të Fondacionit “Soros” në Shqipëri, në atë që quhej “Programi i Rinisë”.
Nëse nuk keni kujtesë të shkurtër, ecuria e vëllezërve Rama nga 1990 e këtej, është shumë e ngjashme me atë të bijve e nipërve të nomenklaturës së lartë të PPSH- së e shtetit monist. Me të vetmin ndryshim që, falë një ftes etë kryeministrit Fatos Nano, Edi Rama u përfshi në politikë prej dhe ku është nga viti 1998.
Natyrshëm, edhe në këto vite në politikë, Rama reflekton si pjesë e “Bllokut”, në qasje publike dhe mentalitet. Sidomos në fund të mandatit të parë, para zgjedhjeve të 2017- ës dhe nga nisja e mandatit të dytë, deri më sot, simptomat e “Bllokut” janë lehtësisht të dukshme. Edi Rama ka arritur deri në adhurim të vetvetes, e artikulon shpesh se ai dhe partia e tij janë më të mirët për Shqipërinë dhe etjen e pushtetit e shtrirë deri në 2030- ën. Fatmirësisht, akoma nuk ka arritur tek shprehja e famshme e PPSH- së “pushtetin e morëm me gjak dhe nuk e lëshojmë pa gjak”. Të paktën tani për tani.
I tjetërsuar nga “misionar” në “dashnor” të politikës, Edi Rama kërkon me çdo kusht të çimentohet në politikë. As në ëndrrat e tij më të largëta, nuk e sheh ndarjen me pushtetin. Kjo, sëmundja më e rëndë e PPSH- së. Edhe në 1990- ën, falë një “Katovice” që nuk ekziston thonë sepse nuk ka akoma një dkoument zyrtar të shkruar, PPSH arriti të mbijetojë. U transformua në PSSH brenda një kongresi duke ndryshuar emrin dhe shpërndau tek partitë e tjera elementë që si “mina me telekomandë”, mund ti mbante nën kontroll. Nga 1990- e deri më sot, të gjithë ata që kanë qenë në pushtet, direkt apo indirekt kanë qenë produkte të ideologjisë, në mos të komanduar në prapaskenë, nga falangat e PPSH-së e zgjatimeve të tjera të saj, të dukshme të padukshme, brenda e jashtë vendit.
Sot, ndërsa përgatitemi të bëjmë zgjedhjet e radhës, në krye të Kuvendit është Gramoz Ruci, ish- ministër i Brendshëm i PPSH- së. Në krye të shtetit, është Ilir Meta, ish- student i Dhjetor ’90 që bashkë me Majkon e të tjerë, preferuan të qendrojnë majtas. Megjithatë, Metës nuk mund ti identifikohen lidhje direkte apo indirekte me ish- “Bllokun”. I vetmi që vazhdon të jetë trashëgimtar jo vetëm genetik por edhe në mentalitetin e shpërfaqur, është Edi Rama. E në këtë pikë, nuk është çudi që para Lulzim Bashës si rival dhe pa asnjë lidhje mbështetëse me para 1990- ën, sot mbase ndihet inferior. Pavarësisht rezervave, kritikave të mundshme, Lulzim Basha është alternativa që pas 30 viteve, shqiptarët të mos kenë më në krye një produkt të ish- “Bllokut”. E kjo i sjell jo pak andralla Edi Ramës por edhe establishmentit që ka prej vitesh pas. E në fakt, është kjo ajo që shqiptarët sot kanë në dorë: Atë që nuk bënë dot në 1990- ën, kanë mundësinë ta bëjnë sërish!/Nga Blerti DELIJA/