Nga Enriketa PAPA
Më 4 shkurt, në kryeqytet u bënë dy evente me karakter përkujtimor. Së pari, ishte ai i nisjes së punimeve për rijetëzimin e piramidës, ish-mazouleumi-muze i tentuar për diktatorin gjatë komunizmit, në një qendër ekosistem dixhital, që duket se ka qenë një ndër pengjet e Kryeministrit e që tashmë kryebashkiaku Veliaj po ia realizon. Së dyti, ishin homazhet për “Masakrën e 4 Shkurtit” nga Bashkia Tiranë dhe organizata e veteranëve, ku nënkryetari i bashkisë kumtoi lajmin mbi dakordësinë e Bashkisë Tiranë ndaj propozimit të deputetit të PS-së, E. Bushati, për ngritjen edhe të një memoriali, përpos emrit që vetë rruga mban, mbi këtë masakër të kryer ndaj qytetarëve tiranas gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të dyja eventet publike me karakter përkujtimor vijnë në prag fushate elektorale, dhe, përveç qëllimit publik të rijetëzimit dhe investimit në kryeqytet, u drejtohen edhe grupeve të caktuara shoqërore, të cilat kanë të lidhura me to përkatësitë dhe sensibilitetet politike. Të dyja eventet janë të lidhura me kujtesën kontroversiale, si ato mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri dhe antagonizmin politik mes kaheve të majta e të djathta mbi “luftën”. Por ato lidhen edhe me periudhën e komunizmit, trashëgiminë komuniste sot, sidomos në peizazhin memorialistik të Shqipërisë postkomuniste. Po ashtu, të dyja eventet lidhen edhe me drejtësinë tranzicionale, ku një aspekt i rëndësishëm i saj është memorializimi i hapësirës publike, në rolin që monumentet, statujat apo muzetë luajnë në rikuperimin e plagëve që e kaluara totalitariste komuniste ka shkaktuar. Hapësira publike kthehet kështu në një arenë, ku gjithsecili mund të bëhet spektator i shfaqjes së të kaluarës te memorialët dhe muzetë. Në këtë arenë publike, politikanë kthehen në regjisorë të shfaqjes së të kaluarës dhe eventeve që duhen përkujtuar, ndërsa qytetarët në spektatorë dhe vizitorë të artefakteve të përzgjedhura për t’u pasqyruar.
Kjo hapësirë publike e kryeqytetit është arena më e madhe, ku pushtetarët ushtrojnë ato që Gramsci i quan “rapporti di forza”, dhe Faucault hegjemoni, me të cilën kuptohet interpretimi që grupi dominues socialpolitiku imponon të tjerëve si të vetmin këndvështrim të mundshëm mbi botën. Ata që nuk binden ndaj këtij dominimi, nuk besojnë në realitetin e imponuar, “e pësojnë”, duke u lënë në hije, duke u braktisur, duke u rrënuar, harruar, zhdukur, shkatërruar.
Më 4 shkurt u përurua rijetëzimi i piramidës së Enverit dhe nisja e memorialit të viktimave të 4 Shkurtit, si një përzgjedhje e një realiteti të mirëmenduar, që delegjitimon alternativa të tjera të shfrytëzimit të hapësirës publike në kryeqytet, o në Shqipëri. Megjithëse viti 2021 përkon me 30-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri, nga këndvështrimi i qëllimit të drejtësisë tranzicionale, pak është bërë për paqtuar shoqërinë shqiptare, pak është bërë për të dekomunistizuar hapësirën publike, në të cilën ende vijohet me emra rrugësh me heronj të diktaturës, simbole të hegjemonisë së pushtetit që imponon të vërtetat e veta historike dhe shtyp të vërtetat alternative. Në këtë 30-vjetor të rënies së komunizmit, piramida e Enverit dhe 4 Shkurti janë simbole që përzgjidhen për t’u rijetëzuar, ruajtur, lartësuar, fiksuar në hapësirën publike, e cila duket se po instrumentalizohet nga hegjemonia e pushtetit.
Kjo përzgjedhje ngritjesh e rijetëzimi të peizazhit memorialistik publik lë në hije përpjekje dhe kërkesa të shumta që grupet e të përndjekurve politikë gjatë komunizmit drejtojnë për ngritje të memorialit për viktimat e komunizmit në Shqipëri, të një muzeu të krimeve të diktaturës. Por, thirrjet për caktimin e një datë për të kujtuar viktimat dhe krimet e komunizmit në Shqipëri nuk dëgjohen. Hapësira publike në Tiranë nuk ka vend për një memorial, për një muze të krimeve të komunizmit. Rrugët e kryeqytetit ende mbartin emra kontroversialë ndaj viktimave të komunizmit. Piramida nuk kthehet në muze për krimet e diktaturës. Tek-tuk, forma sporadike të memorializimit të kujtesës mbi komunizmin u janë lënë në dorë iniciativave private të promovohen a të zbulohen në formën e “bukuroshes së fjetur” te muri rrethues i “Shtëpisë me gjethe”.
Peizazhi urban në Tiranë duhet të përfaqësojë kujtesën publike të qytetarëve të Tiranës. Por kjo memorie shpesh bie preh e hegjemonisë së pushtetit, që imponon botëkuptimin e vet në shfrytëzimin e këtij peizazhi. Bodnar ka shkruar mbi dy forma të kujtesës, atë zyrtare, që shfaqet në forma institucionale nga pushtetarët në evente përkujtimore, dhe së dyti, për kujtesën vernikulare, kujtesën e njerëzve që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve dhe realiteteve të kaluara. Kujtesa zyrtare ushtron hegjemoninë e pushtetit në paraqitjen e versioneve të së kaluarës që u shkon për shtat interesave politike të kastës pushtetmbajtëse. Kujtesa zyrtare mbështetet tek ideologjia dhe u përgjigjet interesave të pushtetarëve. Ajo shpalos në hapësirën publike vizionin hegjemon të pushteti dhe peizazhi publik kthehet në një arenë ku shkatërrohen memoriet historike dhe urbane që nuk i shkojnë për shtat hegjemonisë dhe interesave të pushtetit. Pikërisht këto kujtesa kontroversale që bien ndesh me vizionin hegjemon të pushtetmbajtësve mund të krijojnë dhe tensione a përplasje midis qytetarëve dhe pushtetarëve, grupeve të ndryshme sociale që nuk janë në unison të realiteteve që përqafojnë.
Shkatërrimi në 17 maj 2020 e Teatrit Kombëtar ishte provë e ushtrimit të hegjemonisë së pushtetit, që, në emër të ideologjisë dhe interesit të vet, zhvlerësoi rëndësinë e godinës së teatrit si një “dopolavoro kompesatë”, që shëmtonte vizionin hegjemon për zhvillimin urban të Tiranës 2030. Përplasja mes qytetarëve protestues ndaj shkatërrimit të një simboli të memories urbane dhe trashëgimisë kulturore të kryeqytetit dhe Policisë shkatërroi ekuilibrin kulturor, që duhet të ekzistojë midis pushtetit dhe qytetarëve, duke u imponuar këtyre të fundit qasjen e vet mbi vlerat historike dhe urbane.
Nga këndvështrimi i drejtësisë tranzicionale, hapësira publike duhet të marrë vlerë edhe si mjet i paqtimit social. Shfrytëzimi i hapësirës publike me memorialë, monumente, muze, godina përmes vizualizimit ndikon te ndjesitë dhe përshtypjet e njerëzve. Duke parë piramidën e Enverit që rijetëzohet, Teatrin Kombëtar që shkatërrohet, memorialin e 4 Shkurtit që do të ngrihet, Spaçin, Qaf Barin, Tepelenën etj., të shkatërruar, mendoj se hapësira publike kthehet në një hapësirë dominuese e pushtetit politik. Pikërisht pushteti i grupit dominant imponon versione të një të kaluare monovokale, lineare, pa oscilacione, pa kundërshti ndaj versionit imponues dhe shtypës kujtesash alternative dhe multivokale. Grupi dominant sot kërkon që të stabilizojë pushtetin edhe nëpërmjet legjitimimit të nostalgjisë së komunizmit, përmes rijetëzimit të godinave, datave, heronjve, monumenteve dhe muzeve të ngritur në diktaturë. Kjo është hegjemonia e pushtetit.