Vllaznia do të luajë ndeshjen e radhës për javën e 19-të të shtunën në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Për këtë takim, trajneri Tomas Brdariç nuk do të ketë në dispozicion dy titullarë fiks, pikërisht qendërmbrojtësin Mevlan Adili dhe mesfushorin Herald Marku.
I pari ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe si për ironi të fatit, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në fazën e dytë, teksa ai ka munguar ndaj Apolonisë në Fier. Mungesën e Adilit pritet ta zëvendësojë në qendër të mbrojtjes Dajan Shehi, për të cilin këtë kampionat është ndeshja e tretë që luan si titullar.
Nga ana tjetër, Marku doli i dëmtuar nga sfida e fundit me Laçin dhe rrezikon të qëndrojë rreth 2 javë pushim. Ndërkohë, burime në klub konfirmojnë për “Panorama Sport” se do të paguhet shuma prej 1 milion lekësh të vjetër që Ardit Krymi të shlyejë me gjobë pjesën e mbetur të pezullimit dhe të aktivizohet.