Banorëve të Shirqit në NJA Dajç të Bashkisë Shkodër, mesa duket u ushtë sosur durimi. Pasi kanë më shumë se një muaj të përmbytur nga uji, ata i janë drejtuar Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër. Bashkë me administratorin Gjovalin Darragjati, banorët janë takuar dhe kanë bashkëbiseduar me prefekten Majlinda Angoni në zyrën e saj. Vetë Angoni ka bërë publik takimin përmes disa fotove dhe pak rreshtave pa preferuar të japë shumë detaje.
“Shkodër 🌧- Sot, prita në takim përfaqësues të komunitetit #Shirq të prekur nga përmbytjet. Diskutuam gjerësisht mbi problematikat e shkaktuara nga përmbytjet në zonën e #Dajçit dhe për zgjidhjen sa më parë të shqetësimeve të këtyre problematikave.
***Prefektura #QarkuShkoder përmes grupit të punës të ngritur pranë Komisionit të Emergjencave Civile në bashkërendim dhe me Drejtorinë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit do të inspektojë nga afër shqetësimet e ngritura, duke i’u përgjigjur çdo familje të prekur.”, shkruan prefektja Angoni në publikimin e saj në Facebook.
Pavarësisht se detajet e takimit nuk janë bërë publike, kërkesat e banorëve në zonat e përmbytura janë të njohura. Ata kërkojnë mbështetje me bazë ushqimore për gjënë e gjallë, teksa po i ndihmon vetëm Bashkia e Shkodrës, duke blerë koncentrat me të ardhurat e veta për t’ ua shpërndarë fermerëve. Po ashtu, Banorët kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në bujqësi e blegtori nga përmbytja, edhe pse akoma nuk kanë marrë ato të vitiot 2018, vlera e të cilave ishin në rendin 3.5 milion dollarë amerikanë. /ShkodraWeb Media/