Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi ka pritur në një takim drejtorin e DVP Shkodër z. Niko Brahimaj dhe stafin e tij. Në këtë takim u diskutua për çështje të rëndësishme që lidhen me rendin dhe sigurinë publike në Shkodër. Kryesisht u diskutua për koordinimin në mes qeverisjes vendore dhe policisë për:
Qarkullimin rrugor, për administrimin e proceseve të rëndësishme për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së Covid- 19, për sensibilizimin dhe parandalimin e kultivimit dhe shpërndarjes së bimëve narkotike- problematikë e territorit të Shkodrës, për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve sipas dispozitave kushtetuese e ligjore për të garantuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur etj.
Bashkia e Shkodrës si deri më tani, ofroi kapacitetet e saj për mbështetjen e strukturave të policisë në punën e tyre në zbatim të ligjit, me synim sigurimin e rendit, sigurisë publike, pronës dhe jetës së qytetarëve.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi propozoi që takime si i sotmi, të jenë të përmuajshme me synim bashkërendimin më të mirë sipas fushave të bashkëpunimit, në mes qeverisjes vendore dhe policisë. /Publikuar në fyqen zyrtare të Bashkisë Shkodër në Facebook/