Në Shkodër të gjithë janë “të çmendur” pas Vllaznisë. Jehona e ecurisë së skuadrës sivjet i ka bërë për vete të gjithë tifozët e Vllaznisë, të cilët në fakt janë të shumë të numër.
Madje, Alban Neziri i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Pressing” ka lëshuar edhe një batutë shumë të bukur teksa ka thënë:
“Në Shkodër kur luan Vllaznia nuk sheh njeri tjetër në rrugë përveç kollovarëve dhe atyre që kanë dalë për të shëtitur qenin. Të tjerët i ke të gjithë para televizionit duke parë ndeshjen”.
Neziri po ashtu ka vijuar të flasë edhe për presionin e madh që ekziston rreth skuadrës që sipas tij në momente të veçanta nuk është dhe aq i favorshëm.
“Vllaznia po kalon një moment “jo” nëse mund të themi kështu dhe për fatin e saj ndoshta në dy ndeshjet e rradhës ka ndeshje pak më të lehta se me këto rivalet e saj. Të mos harrojmë se presioni tek skuadra është shumë i madh, por nga ana tjetër në rradhët e saj nuk janë më emra të tillë si Sabah Bizi, Luan Vukatana, Hysen Zmijani, Vioresin Sinanit, Edi Martinit e me rradhë.
Tek Vllaznia e sivjetme janë pjesë e saj gjysma e lojtarëve që kanë rënë nga kategoria. Dhe pas një viti e gjysëm të pretendosh titullin kampion, si rrjedhojë presioni ndaj tyre është i jashtëzakonshëm.
Këto lojtarë nuk mund të dalim lirshëm nëpër qytet dhe nuk munden të përballojnë presionin e madh. Lëre në Shkodër, por tifozët po i shkojnë skuadrës edhe në hotel dhe nuk ka mbetur gjë tjetër vetëm për ta grumbulluar skuadrën në Ulqin”.