Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim në një prononcim të shkurtër për mediat nga Porti i Durrësit foli mbi procesin e dekriminalizimit para zgjedhjeve të 25 prillit. E pyetur nga gazetarët nëse do të përmendë të tjerë emra përveç Tom Doshit, që nuk duhet të kandidojnë për deputetë, Yuri Kim tha se është duke zhvilluar bisedime dhe do të flasë në fund të ditës.
Pyetje: Si mendoni, partitë politike do t’u binden pozitivisht për pastrimin e listave të kandidatëve?
Yuri Kim: Vazhdoj ta theksoj këtë pikë, votuesit shqiptar meritojnë më shumë. Nuk është ajo çfarë duan SHBA-të, njëri apo tjetri, por ajo që meritojnë votuesit shqiptarë. Mbetet për t’u parë.
Pyetje: Ju keni deklaruar që deputeti Tom Doshi nuk duhet të kandidojë, për atë që ju e keni cituar vetë. A keni ju ndonjë emër nga deputetët në këtë qark (Durrës) që nuk duhet të kandidojnë?
Yuri Kim: Jam në bisedime për një çështje që është shumë e rëndësishme dhe në fund të ditës mund të them diçka edhe për këtë gjë.