Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i pyetur nga gazetarët për rolin e Tom Doshit në Partinë Socialiste tha se ai është përjashtuar nga strukturat që nga viti 2015. Në një deklaratë për gazetarët, Balla u shpreh se nuk mund të përgjigjet për deputetin, pasi Rama dhe vetë ai mbajnë përgjegjësi për strukturat brenda partisë.
“Ju këtë pyetje ma keni bërë edhe në 2015. Unë këtë përgjigje kam dhënë kur ish deputeti Tom Doshi me vendim të grupit të PS është përjashtuar nga PS dhe dua tju them që pyesni kryetarin e partisë së zotërisë në lidhje me këtë.
Sa i përket PS, PSSH jo vetëm që ka bërë procese të shkëlqyera të vlerësimit të kandidaturave, PS ndërmori një proces shumë historik edhe në kuadër të mundësisë që na dha hapja e listave për ti dhënë mundësi të rinjve që kontributin ta japin përmes përfshirjes në listat e kandidatëve për deputetë të ekipit fitues.
Kështu që për çështje që lidhen me persona të tjerë pyesni partitë secilën prej partive. Përgjegjësia e Ramës dhe e imja është brenda strukturës së PS.
Në selinë PS 2015 ka hyrë edhe Ilir Meta si kryetar i LSI, ka hyrë dhe Petrit Vasili edhe Idrizi. Unë nuk hyj në këto diskutime.
Sot PS kandidon në zgjedhjet e 2021 pa asnjë aleancë me asnjë parti. Të vetmit aleatë janë ata që e sollën në pushtet PS, qytetarët e thjeshtë”, tha ndër të tjera Balla.