Andi Bushati, analisti i njohur, i është përgjigjur ashpër kryeministrit Edi Rama. Shefi i qeverisë, në një përgjigje për liderin e opozitës Lulzim Basha për “9 premtimet e pambajtura”, përfshi në komentin e tij në Twitter edhe analistin e njohur.
“Lulëzim! Se çfarë bëra unë pas tërmetit, qytetarët e dinë. Se çfarë bëri e po bën kjo qeveri për përballimin e pandemisë edhe këtë e dinë. E mbajnë mend edhe ç’bëhej deri dje me përmbytjet kur mijëra njerëz linin shtëpitë e me dëborën kur rrugët bëheshin pista skish për makina!..
Politika me fatkeqësitë është si ajo makina që ngec në rrugë se s’ka zinxhirë për rrotat në rast dëbore dhe s’ka qytetar normal, sado i pakënaqur me qeverinë, që të bëhet rrotë me zinxhir si Andi Bushati, për të të besuar ty rrugën e të ardhmes së Shqipërisë për inat të qeverisë!”, do të shkruante Rama.
Përgjigja e analistin të njohur ka qenë mjaft e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, duke rikthyer në vëmendje edhe një përcaktim të para disa viteve në “Kurbanin” e tij të vetë edi Ramës.
“Nje mashtrues banal deri në neveri. Sipas tij sot une i sherbekam qellimeve te Lulit me te vertetat që them. Ndonese kur ishte vete ne opozite shkruante krejt ndryshe ne librin qe po permjer per dite, ne “Kurban””, shkruan Bushati në përgjigje të kryeministrit, duke publikuar edhe foton më poshtë.
Përplasja në distancë Bushati- Rama nisi natën e kaluar. Analisti, si dhjetra gazetarë të tjerë, mbeti i bllokuar në aksin Lezhë- Tiranë dhe për këtë ai shkruajti në Facebook:
“Pasi kam kaluar me orë të tëra i bllokuar pranë Lezhës bashkë me qindra të tjerë, pasi nuk pashë për be asnjë borëpastruese, asnjë kripëhedhëse apo qoftë dhe makinë policie që të jepte informacion elementar, sa mbërrij në shtëpi, falë një aventurieri që çau rrugë pa rrugë mes fshatrave, shoh ministren që jep shfaqe pasi ia ka hypur një borëpastrueseje.
Do e kuptoja po të thoshte që jemi një shtet shkërdhat, që kështu kemi qenë dhe kështu do mbetemi, kaq fuqi kemi përballë situatave të tilla etj…
Por ama me këto inskenimet e shpifura ku e vetmja makinë që mund të vihej në punë përdorej për xhirime, këta edhe njeriun më të duruar mund ta shndërrojnë në vrasës…
I imagjinoj fytyrat e atyre që pata me orë pranë kur të shohin në ekran Belindën sapo të futen në shtëpi…”, shkruante Andi Bushati. /ShkodraWeb Media/