Kryetarja e Bashkise Shkodër Voltana Ademi nga Dajçi i përmbytur, ka bërë një thirrje publike për kryeministri Edi Rama. Në një lidhje direkte me emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, qytetarja e parë e Shkodrës i ka kërkuar kryeministrit Rama të vizitojë zonat e përmbytura.
”Kam informacione që Edi Rama do të jetë në Shkodër sot. I bëj thirrje publike që të vizitojë zonat e përmbytura të Shkodrës. Nëse deshiron, edhe së bashku, për të parë situatën e rënduar. Sot është dita e 41-të e përmbytjeve dhe situata është shumë e rëndë.”, ka thene Ademi.
Kryebashkiakja e Shkodrës ka folur për situatën e përmbytjeve, duke sjellë në vëmëndje se shteti nuk është dukur askund.
“Kemi prokuruar me fondet tona 80 ton koncentrat për gjënë e gjallë dhe do të vazhdojmë. Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Duhet shpallur emergjenca e fatkeqësisë natyrore. Nëse shteti nuk vepron, mbetet të ndajmë Shkodrën nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Kam gjetur një mënyrë për të kërkuar e marrë dëmshpërblimin për dëmet. Vlera kalon 4.5 mln USD dhe vijon të rritet. Si kohëzgjatje e përmbytjeve, kemi kaluar atë të vitit 2010 dhe 2018”, ka shtuar Ademi.
Sot është njoftuar se kryeministri Rama do të jetë në Shkoder për nisjen e fushatës së vaksinimit antiCovid. Nuk është e qartë nëse do të vizitojë zonat e përmbytura, ndërsa Ademi i bëri thirrje publike të shohë situatën nga afër. /ShkodraWeb Media/