Republika e Kosovës sot shënon 13-vjetorin e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe të njohur nga 117 shtete.
Institucionet e Kosovës për këtë ditë kanë paraparë aktivitete të ndryshme.
Në orën 8:00 para objektit të qeverisë do të ngrehet flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së, ku do të jenë të pranishëm ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe përfaqësues ndërkombëtarë, shkruan “Epoka e re”.
Ndërkaq në orën 9:00 në Velani, liderët shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Po ashtu në orën 10:00 në Prekaz liderët shtetërorë do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari.
Gjithashtu, më 17 shkurt, në orën 10:00, në të gjitha komunat e Kosovës do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve.