Kryetari në detyrë i Partisë Social Demokrate, Engjëll Bejtja, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për kandidimin e Tom Doshit nën siglën e PSD dhe deklaratat e ambasadores amerikane, Yuri Kim.
Bejtja tha se ndaj Tom Doshit janë hedhur edhe më parë akuza, por institucionet shqiptare e kanë certifikuar. Për këtë arsye, theksoi ai, politikanët janë të detyruar të respektojnë vendimet e institucioneve të shtetit shqiptar, dhe nëse këto institucione janë difektoze, duhen rregulluar ato.
“Në këtë rast ne jemi të detyruar të respektojmë vendimet e institucioneve të shtetit shqiptar. Nëse ato institucione janë difektoze, duhen rregulluar ato, asgjë tjetër. Për sa kohë këto institucione e certifikojnë z. Doshi, atëherë ku lind problemi?”, tha Bejtja.
Më tej, Bejtja deklaroi se nuk ka mundur të komunikojë me ambasadoren amerikane, për të kërkuar sqarime mbi deklaratat e saj drejt Doshit, por shtoi se ka diskutuar me këtë të fundit, i cili i ka thënë se çdo gjë në rregull.
“Nuk kam pasur rastin të komunikoj drejtpërdrejt me ambasadoren, për të kërkuar ndonjë sqarim plus. Patjetër që kam diskutuar me Doshin, dikur kemi diskutuar dhe për këtë pikë dhe më ka garantuar që është në rregull me gjithçka”, shtoi ai.
Intervista:
Çfarë ka ndodhur në PSD?
Engjëll Bejtja: Unë jam kryetari në detyrë i PSD. Unë kam ushtruar detyrën e kryetarit të PSD që nga qershori i vitit 2019, kur kryetari tradicional i partisë, Skënder Gjinushi, bëri dorëheqjen, pasi do garonte për në Akademinë e Shkencave. Nuk kishte kohë të mjaftueshme për të bërë një kongres, për të bërë zgjedhjen e kryetarit, u vendos që njëri prej drejtuesve në nivel më të ulët, të ishte kryetar. Unë atëherë isha nënkryetar, dhe m’u tha që të bëhesha kryetar. E pranova.
U dërgua, u bë porocedura standarde, që të isha unë kryetar. Shkoi në gjykatë, u ligjërua dhe pastaj kam ushtruar të gjitha detyrat e kryetarit. vazhdova ta kryeja këtë detyrë, ndërkohë që këshilli kishte lënë si detyrim bërjen e një kongresi brenda një afati. Erdhi situata e Covid-it dhe u krijuan vështirësi për ta realizuar. Duke qenë se në dhjetor, kur ishte dhe momenti që po startonte fushata elektorale, unë kisha detyrimet e mia ndaj partisë dhe fushatës. Unë nuk e konsideroja të përshtatshme qenien time.
Duke qenë mjek, jemi dhe më frikacakë ndaj patologjive. Kështu që nuk e mendoja të përshtashme për mua të bëja fushatë në kohë pandemie. Gjykoja që PSD do të kishte nevojë për një shtysë, ndaj dhe më 15 dhjetor i kam paraqitur dorëheqjen kryesisë së PSD. U ndoq gjithë procedura standarde. Kryesia vendosi të operohej me një kongres, që të zhvillohej më 4 janar.
Para se të bëhej kongresi, u bënë gjithë konferencat e degëve, të cilët zgjodhën delegatët. Jo në çdo rast duhet vepruar me rrugë ekstra-ligjore. Ne jemi të detyruar të respektojnë legjislacionin e vendit. Nuk dua të them që ambasadorja nuk ka të drejtë në ato që ngre, por në këtë rast drejtësia është ajo e institucioneve. Gjtihmonë kam pasur bindjen që në një vend, nëse pesha e një individi është më e madhe se ajo e institucioneve, punët nuk janë mirë. Kam qenë i prirur të respektoj vendimet e institucioneve.
Pra, Doshi nuk ka asnjë pengesë të kandidojë?
Doshi ka kandiduar edhe më 2017, nën flamurin e PSD. Është respektuar procedura standarde. Kjo është një temë që e kam diskutuar edhe herë tjetër me z.Doshi. Ka pasur akuza, që kanë shkuar deri në gjykatë, dhe ai është certifikuar. Unë personalisht, edhe PSD, dhe çdo parti tjetër, nuk ka tagër të bëjë hetime të posaçme, sepse nuk ka dhe kapacitete. Në këtë rast ne jemi të detyruar të repsketojmë vendimet e institucioneve të shtetit shqiptar. Nëse ato institucione janë difektoze, duhen rregulluar ato, asgjë tjetër. Për sa kohë këto institucione e certifikojnë z. Doshi, atëherë ku lind problemi?
Është shqetësuese për partinë tuaj që ambasadorja kërkon të mos kandidojë Doshi, dhe ai vjen kryetar i PSD dhe kandidon në katër qarqe?
Nëse kandidon në një qark apo në katër qarqe, është e njëjta gjë. Për mua është i ekzagjeruar ndryshimi në kod, që i lejon kryetarët e partisë të kandidojë në katër qarqe. Padyshim që unë nuk provoj asnjë ndjesi pozitive, kur dëgjoj opinione të kësaj natyre. Nuk kam pasur rastin të komunikoj drejtpërdrejt me ambasadoren, për të kërkuar ndonjë sqarim plus. Patjetër që kam diskutuar me Doshin, dikur kemi diskutuar dhe për këtë pikë dhe më ka garantuar që është në rregull me gjithçka.
Cilat janë pritshmëritë e PSD në zgjedhjet e 25 prillit?
Dua të bëj një plotësim të vogël, se ky diskutim nisi kur PSD dorëzoi kërkesën për regjistrim dhe KQZ refuzoi. Ndërkohë, procesi gjyqësor për legalizimin e z.Doshi si kryetar i PSD është bërë më 4 shkurt dhe si cdo proces gjyqësor, do kohën e vet të zbardhet, dhe zbardhja bëhet me 19. Kështu që më 19 PSD do të ketë kryetarin e vet. Ne do jemi ata që kemi qenë, edhe nëse aleatët tanë ndryshojnë qëndrim. Aleanca me PS mungon që prej 2017.Mendoj që nuk do të jemi as në koalicion parazgjedhor me PS. Do garojmë si parti më vete. Se cili do të jetë rezultati në zgjedhje, mbase ky do të jetë dhe rezultat i vlefshëm për PS. Ne jemi të prirur të marrim atë vendim që është në interes të vendit.