Pas konfirmimit të rasteve me variantin e ri të Covid-19 në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe Instituti për Shëndetin publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori gjerman i klinikës Charite në Berlin, se në mostrat e dërguara atje ishte identifikuar varianti britanik i Covid – 19.
Mali i Zi, renditet i pari në rajon me 1.376 të infektuar me koronavirus për 100.000 banorë. Për shkak të situatës tejet të rëndë epidemiologjike dhe numrit të shtuar të të sëmurëve dhe viktimave, janë mbyllur pothuajse të gjitha pikat e hotelerisë në në vend.
Ndërkohë që situata është tejet alarmante e tërë vëmendja është e përqendruar tek vaksinat. Të mërkurën në Mal të Zi mbërriti kontingjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, dhuratë nga Serbia. Në aeroportin e Podgoricës Kryeministri Zdravko Krivokapiç priti homologen e tij serbe Ana Brnabiç, të cilën e falënderoi dhe i tha, që ”ky donacion është dëshmi e respektit të madh. Ky veprim do të jetë një fillim i ri në zhvillimin e marrëdhënieve misi dy vendeve që në një periudhë të caktuar kohore kishin shënuar ngecje”, është shprehur Krivokapiç.
Kryeministrja serbe është shprehur, se Serbia do t’i dhurojë Malit të Zi edhe 4000 vaksina të tjera, përveç 2000 të cilat i ka marrë. Zëvendëskryeministri i Malit të Dritan Abazoviq, i cili ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar në bisedime me Serbinë për këtë donacion, i shprehu mirënjohje qeverisë së Serbisë për – siç tha ai – “këtë gjest njerëzor”.
Mali i Zi është ndër vendet e fundit në rajon që fillon imunizimin kundër COVID-19.