Partia Demokratike e Shkodrës ka ndezur motorët e fushatës elektorale. Prej javësh tashmë, të rinjtë e FRPD- së janë derë më derë, ndërsa Helidon Bushati- drejtuesi politik i fushatës së PD- së për Qarkun Shkodër, ka nisur takimet me grupe të ndryshme interesi dhe qytetarë të thjeshtë.
Ndërkohë, prej disa ditësh kanë nisur të lakohen emra të ndryshëm kandidatësh për listën e Shkodrës. Optimizmi i demokratëve është maksimal. Tanimë flitet për 6 deputetë të sigurtë, teksa synojnë edhe në shtatin në varësi të strategjisë politike që do të ndjekë opozita e bashkuar me listat apo koalicionet për qarkun e Shkodrës.
Sipas kodit zgjedhor, jo më pak se 30% e kandidatëve në listë duhet të jenë të gjinisë femërore. Pra nga 11 emra, të paktën 4 duhet të jenë zonja. Po ashtu, dy emra për listën e sigurtë, janë paracaktuar që tani. Bëhet fjalë për Helidon Bushatin dhe Nard Ndokën, kryetar i PDK- së, i cili ka arritur marrëveshje me Bashën.
Ndër katër deputetët e zgjedhur në vitin 2017, vetëm Bardh Spahia duket se e ka të garantuar rikandidimin. Shanse për rikandidim, nisur edhe nga kuotat gjinore por edhe pozicioni si antare e Kryesisë së PDSH- së, ka edhe Izmira Ulqinaku. Kuotim të lartë duket se ka edhe ish- kryetarja e Këshillit të Qarkut Greta Bardeli ndërsa është edhe numri 2 i degës demokrate të Shkodrës. Ledina Mandia, ish- zëvendëskryeministre e Qeverisë Teknike të vitit 2017, duket se nuk është vendosur akoma për në listën e sigurtë të Shkodrës. Mandia mund të jetë pjesë e listës së Tiranës si propozim i Kryesisë së PDSH- së në kuotën që ajo ka të drejtë të vendosë në lista ose mund të jetë pjesë e një qeverie pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Një emër mjaft i lakuar, në listën e sigurtë të PD-së, duket se është edhe ish- kryebashkiaku i Vau- Dejësit Zef Hila. Një tjetër ish- kryebashkiak, si përfaqësues i M.Madhe, duket se është Ramadan Lika. Puka ka si kandidaturën më të fuqishme bisnesmenin Ludovik Hasanaj.
Lidhur me renditjen sipas bashkive të qarkut, duket se tre emrat e parë të listës do të jenë nga Bashkia Shkodër dhe me radhë: M.Madhe, Vau Dejës, Pukë. Renditja në listë e tre bashkive të fundit, do të përcaktohet pas vlerësimit të votave që çdo bashki sjell në totalin e votave si qark.
Pavarësisht emrave që përfliten si më të kuotuar këto ditë, nuk përjashtohen edhe emra surprizë siç ka ndodhur edhe në përcaktimin e kandidaturave në zgjedhjet e kaluara. Në praktikën e ndjekur edhe në zgjedhjet e kaluara, partitë politike do të depozitojnë emrat zyrtarë të kandidatëve sipas qarqeve, në limit të afatit, i cili është jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve. /ShkodraWeb Media/