Kampionati kombëtar i volejbollit të meshkujve ka dy javë që ka startuar dhe Vllaznia i ka bërë një nisje të mirë. Tashmë nën drejtimin e Artan Kalajës dhe Ermal Krajës, ky ekip duket se ka ambicje shumë serioze në sezonin e ri.
“Në grupin tonë ku jemi 5 skuadra, besoj se 3 do të jemi pretendentët për të zënë dy vendet e para që do të shkojnë në play-off. Gara do të jetë në mes Vllaznisë, Erzenit dhe Skënderbeut. Mendoj se do të ketë rivalitet, por për fat të keq kampionati do të jetë i shkurtër.
Gjithsej janë tetë ndeshje për t’u luajtur dhe për të përcaktuar nëse do shkojmë në katërshe apo jo. Nëse bën një gabim, do të kushtojë shumë. Unë kam shumë besim se do ia dalim. I kemi fituar dy ndeshjet e para, por tashmë jemi të përqendruar maksimalisht tek sfida e së dielës me Erzenin.
Ky i fundit ka një kontigjent më të mirë, ka bërë më shumë stërvitje se ne, por kjo nuk na tremb. Do të mundohemi të bëjmë punën tonë, të tregojmë vlerat tona dhe pse jo, të pretendojmë fort për të fituar edhe titullin kampion”- ka thënë trajneri Kalaja.
Ky i fundit është rikthyer sërish në krye të këtij ekipi pas 4 vitesh e gjysëm larg tij. I pyetur nëse është rikthyer sërish me të njëjtën dëshirë dhe entuziasëm, ai do të përgjigjej:
“Padyshim që jam rikthyer me të njëjtën dëshirë dhe entuziasëm. Kjo është gjëja që unë adi të bëj më mirë se çdo gjë tjetër. Kam 20 e sa vite që e bëj këtë punë dhe jam sërish shumë i motivuar për të punuar fort dhe për të arritur të tjera suksese me këtë ekip”. /ShkodraSport/