Albert Kaçi, ish-futbol listi kampion me Vllazninë 20 vite më parë, por edhe me Elbasanin, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” foli për situatën aktuale te Vllaznia, po ashtu për shortin e Kupës dhe mundësitë për ta fituar këtë trofe.
Kaçi pohoi se aleancat kanë qenë prezente, por ato më shumë ngjajnë si maskarada dhe këtë po e pëson edhe Vllaznia aktualisht. Megjithatë, ish-kampioni i fundit beson se skuadra mund ta kthejë titullin në Shkodër, pasi po punon shumë mirë.
Kupa e Shqipërisë ka përcaktuar çerekfinalistët dhe Vllaznia pret Korabin. Si e shikoni këtë short?
Pavarësisht se në futboll asnjëherë nuk thuhet se ka ekipe të mëdha dhe të vogla, sërish mund të them se Vllaznia ka qenë me fat dhe e shoh të favorizuar për në turin tjetër. Për mua ky tur është si një test për ndeshjet e tjera.
Si i shikoni aleancat dhe a duhet të druhet Vllaznia nga ato?
Jo sot, por edhe në të shkuarën, aleancat kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Megjithatë, këtu nuk flitet për aleanca, por për një maskaradë që luhet në dëm të një skuadre apo një tjetër.
Në dëm të Vllaznisë konkretisht ka filluar një gjë e tillë. Shikohen ekipe pa motiv që luajnë fort me Vllazninë, ndërsa me kundërshtarë të tjerë thua nuk është ajo. Vllaznia ka për t’i pasur këto probleme në rrugën për titull, gjëra të cila mund të kenë edhe ndikimin e tyre. Prandaj, e thashë më lart rruga drejt Kupës do të jetë më e lehtë sesa ajo drejt titullit kampion.